Nxënësit shqiptarë në Izidrovë pa paralele shqipe

Prishtinë | 09 Sht 2018 | 17:32 | Nga

Nxënësve në lagjën Idrizovë të Shkupit,u mbetet ëndërra e përgjysmuar për ta ndjekur mësimin në gjuhen shqipe, edhe pse arsimimi në gjuhën amtare është i garantuar me ligj.

Këtë të drejtë fëmijët shqiptarë e gëzojnë deri në klasën e pestë në shkollën fillore “Petar Petroviç Njegosh”.

Për ciklin e lartë të arsimit fillor ata detyrohen të ndjekin në Shkollat e Çairit ose në “25 Maji” në Hasanbeg. Pos kësaj, në mungesë të kuadrit disa nga lëndët i kanë ndjekur në maqedonisht, shkruan alsat-M.tv.

Prindërit shprehen të zhgënjyer për mos zgjidhjen e problemit shumëvjeçar. Ata thonë se kërkesat e panumërta kanë përfunduar në vesh të shurdhër, andaj ka detyruar ata që fëmijët t’i regjistrojnë në paralelet maqedonase që nga klasa e parë.

“Kërkojmë nga institucionet, nga Qeveria, nga Ministria e Arsimit, nga komuna që tu jipet e drejta nxënësve tanë shqiptarë dhe jo të diskriminohemi me vite, përse mos të kemi shkollën. Shkolla ekziston, ne nuk kemi nevojë për investime në shkollën me miliona denarë, kemi shkollën, shkolla ri e zbrazët. Shkolla pas orës 12 ose 13 është e zbrazët”, deklaroi Rizvan Seferi, prind.

Këtë vit në shkollën fillore “Kongresi i Manastirit” në Çair, në klasë të gjashtë janë regjistruar gjashtë nxënës të lagjes Idrizovë.

Drejtori, Faik Xhoni tha se do të mirëpret nxënësit por apeloi Institucionet përkatëse për zgjidhjen e problemit.

“Tash ka filluar edhe këtu të rritet numri I nxënësve, mirëpo nëse e kalon 34 ose 36, tash me ligjin e ri nëse e kalon numrin 30 do të ketë vështirësi mirëpo do të kërkojmë që të hapen paralele të reja te ne. Çdoherë do t’ju dalim në ndihmë atyre nxënësve sepse nxënësit nuk janë fajtorë, duhet të kërkohet që edhe atje të hapet shkolla deri në klasën e nëntë”, u shpreh Faik Xhoni, sh.f “Kongresi i Manastirit”.

Në shkollën “Petar Petroviç Njegosh në Idrizovë këtë vit mësimin e kanë nisur 12 filloristë shqiptarë. Sipas të dhënave të prindërve, në çdo paralele me mësim në gjuhën maqedonase regjistrohen nga 5 ose 6 nxënës shqiptarë. Kreu i Gazi Babës, Borçe Georgievski tha se çështjen do ta shqyrtojë pasi të ketë marrë një kërkesë nga prindërit e nxënësve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme