OKB beson se mund të jenë kryer krime lufte në Jemen

Prishtinë | 28 Gus 2018 | 12:35 | Nga

Ekspertë të Kombeve të Bashkuara besojnë se krime të luftës mund të jenë kryer nga të gjitha palët pjesëmarrëse në konfliktin në Jemen.

Në raportin e tyre të parë të tillë, ata supozojnë se forcat qeveritare të Jemenit, koalicioni i udhëhequr nga sauditët dhe rebelët huthi kanë bërë pak përpjekje për të ulur numrin e viktimave.

Ata kanë përmendur bombardimet në shkolla, spitale dhe markete, si pasojë e të cilave kanë vdekur mijëra persona.

Ata kanë paralajmëruar se bllokada ajrore dhe ajo detare mund të cilësohet krim i luftës.

Ekspertët do të prezantojnë këtë raport para Këshillit të OKB-së për të Drejta të Njeriut muajin e ardhshëm.

Të hënën, koalicioni i udhëhequr nga sauditët ka akuzuar OKB-në për paragjykime, pasi organizata ka dënuar dy sulme ajrore të nisura në zonat e kontrolluara nga rebelët huthi, që raportohet të kenë vrarë disa fëmijë nga Jemeni.

Zëdhënësi, Turki al-Malki ka thënë se informacionet e OKB-së janë bazuar në “tregimet e rebelëve”.

Jemeni është shkatërruar nga konflikti që është përshkallëzuar në fillim të vitit 2015, meqë rebelët huthi kanë pushtuar pjesën perëndimore të këtij shteti, duke detyruar presidentin, Abdrabbuh Mansour Hadi të largohet nga shteti.

Të alarmuara nga rritja e këtij grupi, të cilin e kanë cilësuar të lidhur me Iranin, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe shtatë shtete tjera arabe, kanë ndërhyrë në Jemen, në përpjekje për të rikthyer Qeverinë.

Rreth 10,000 persona, dy të tretat e të cilave civilë, janë vrarë dhe rreth 55,000 të tjerë janë plagosur në këto luftime, kanë njoftuar Kombet e Bashkuara.

Luftimet dhe një bllokim i pjesshëm nga ana e koalicionit ka detyruar 22 milionë persona të kërkojnë ndihmë humanitare, duke krijuar urgjencën më të madhe në botë për sigurim të ushqimit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme