ORCA me aksion simbolik para Rektoratit – “rreth plagjiaturës të përbashkuar”

Prishtinë | 25 Tet 2022 | 11:39 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka mbajtur aksion simbolik para Rektorit të Universitetit të Prishtinës (UP), raporton Ekonomia Online.

Dibran Hoxha nga kjo organizatë tha se Altin Sahiti nga Ministria e Arsimit, Selim Bezeraj dhe Rifat Krasniqi, shkarkuan ish-rektorin Naser Sahiti të premten pa as një justifikim të qëndrueshëm.

“Për Këshillin Drejtues të Universitetit të Prishtinës, himni fillon: Rreth plagjiaturës të përbashkuar! Altin Sahiti nga radhët e Ministrisë së Arsimit në bashkëpunim të ngushtë me plagjiatorin Selim Bezeraj dhe infamozin Rifat Krasniqi, të premten shkarkuan rektorin Naser Sahiti pa mundur të japin asnjë justifikim të qëndrueshëm për këtë shkarkim. Kush do ta mendonte se vetëm 21 ditë pas ardhjes në pozitë të plagjiatorit dhe infamozit të cilët e filluan mandatin e tyre në Këshill Drejtues më 1 tetor, do të arrinin marrëveshje me përfaqësuesit nga radhët e Ministrisë së Arsimit për ta shkarkuar rektorin”.

“Më 29 qershor të këtij viti, pas zgjedhjes së plagjiatorit Selim Bezeraj në Këshill Drejtues, pat mbajtur konferencë Ministrja e Arsimit Arbërije Nagavci, e cila tha se i kishte dërguar një letër Këshillit Drejtues, anëtarëve të zgjedhur prej saj, me të cilën i kërkonte anëtarëve të vet ta iniconin rastin e plagjiaturës së Selim Bezerajt në Këshill Drejtues. Prej fundit të qershorit deri në mes të tetorit janë përafërsisht 4 muaj. As ish kryesuesja nga radhët e Ministrisë as kryesuesi aktual nuk e kanë dërguar në Këshill të Etikës rastin. Përkundrazi përgjatë këtyre muajve siç duket paskan negociuar votën e plagjiatorit në këmbim të heshtjes dhe mosdenoncimit”. 

“Sikur të mos mjaftonte kjo, në ditën e shkarkimit të rektorit kryesuesi i Këshillit Drejtues rren publikisht duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarës se pse anëtarët e ministrisë në Këshillin Drejtues nuk e kanë denoncuar plagjiaturën e Selim Bezerajt, meqë ata vet ishin zotuar për një veprim të tillë. Altin Sahiti pa pikë turpi u përgjigj që ata nuk e kishin dhënë një zotim kësisoj, në ndërkohë i njëjti më datë 30 qershor 2022 në mbledhjen e 20-të të Këshillit Drejtues me insistim të shtuar kishte lexuar me gojën e tij emailin e ardhur nga ministria për adresim e plagjiaturave brenda vet Këshillit”.

“Pyetja që shtrohet është, a e ka ditur Ministrja Nagavci që anëtarët e vet në Këshillin Drejtues po ia pijnë cigaren msheft? Nëse po, a mund të na tregojnë pse kanë ndryshuar mendim për denoncimin e Selim Bezerajt në Këshill të Etikës? Dhe krejt në fund: kur do të fillojnë implementimet e premtimeve publike të saj për luftën kundër plagjiaturës? Ne mbesim të përkushtuar që për çdo javë të denoncojmë veprimet e secilit anëtar të Këshillit Drejtues veç e veç deri në demaskimin total të tyre”.

Të ngjashme