OSBE-ja nis vëzhgimet për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë Veriore

Prishtinë | 12 Mar 2019 | 18:09 | Nga Ekonomia Online

11 ekspertë, 18 vëzhgues afatgjatë dhe 250 vëzhgues afatshkurtër të OSBE-së do të kenë nën “thjerrëz” zgjedhjet presidenciale të 21 prillit dhe 5 majit (në rast të balotazhit) në Maqedoninë Veriore.

Duke filluar nga 20 marsi në gjithë Maqedoninë Veriore do të shpërndahen ekipe, të përbëra nga dy vëzhgues. Monitorimi do të përfshijë: mbulimin mediatik të fushatës, regjistrimin e votuesve, atë të kandidatëve, aktivitetet e fushatës, punën e administratës zgjedhore dhe të organeve përkatëse qeveritare, legjislacionin që ka të bëjë me zgjedhjet dhe zbatimin e tij.

“Misioni vëzhgues i OSBE-së do të takohet me përfaqësues të autoriteteve shtetërore, partive politike, shoqërisë civile, medias dhe të komunitetit ndërkombëtar. Qëllimi i monitorimit të zgjedhjeve është që të njëjtat të realizohen në frymë demokratike”, tha shefja e misionit vëzhgues Corien Jonker, transmeton Alsat-M.

“Do të vëzhgojmë administratën zgjedhore në nivele të ndryshme, regjistrimin e votuesve dhe të kandidatëve, fushatën dhe financimin e saj si dhe ambientin e fushatës. Nuk na interesojnë rezultatet e zgjedhjeve, por cilësia e tyre, drejtësia dhe pa anshmëria”, shtoi Jonker.

Ky mision do të publikojë një raport të përkohshëm gjatë punës së tij, ndërsa një ditë pas zgjedhjeve do të publikohet një raport ku do të pasqyrohen përfundimet paraprake. Misioni i OSBE-së dhe ai i ODIHR do të veprojnë veçmas dhe në mënyrë të pavarur, në kuadër të mandatit të tyre.

Ndërkohë siç njoftojnë nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, vetëm tre nga nëntë kandidatë do të hyjnë në garën për president të vendit në zgjedhjet e 21 prillit.

KSHZ-ja ka konfirmuar se Gordana Siljanovska- Davkova, Stevo Pendarovski dhe Blerim Reka në afatin e paraparë kanë grumbulluar nënshkrimet e nevojshme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme