Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka mirëpritur vendimin e gjykatës për shpalljen të pafajshëm të gjeneralit Sami Lushtaku dhe bashkëluftëtarëve të tij, duke e cilësuar atë si dëshmi se drejtësia duhet të mbështetet vetëm në prova dhe fakte.
Në një reagim publik, OVL-UÇK tha se vendimi konfirmon se akuzat e pabazuara nuk mund të qëndrojnë përballë së vërtetës.
“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së e mirëpret vendimin e Gjykatës për shpalljen të pafajshëm të Gjeneral Sami Lushtaku dhe të bashkëluftëtarëve tjerë. Ky vendim është një dëshmi e radhës se drejtësia, me gjithë vonesat, në fund duhet të mbështetet vetëm mbi prova e fakte, e jo mbi akuza të pabazuara apo paragjykime”, thuhet në reagim.
OVL-UÇK vlerësoi se përpjekjet për të dëmtuar figurat e luftës çlirimtare nuk kanë sukses përballë fakteve.
“Përpjekjet e vazhdueshme për të njollosur figurat e luftës çlirimtare dështojnë përballë të vërtetës. Pastërtia e luftës së UÇK-së dhe sakrifica e pjesëtarëve të saj mbeten vlera sublime që nuk mund të tjetërsohen nga asnjë proces i rremë apo presion publik”, theksohet më tej.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ritheksoi se çdo proces gjyqësor duhet të zhvillohet në përputhje me ligjin dhe standardet e një shteti të së drejtës.
“Rikonfirmojmë qëndrimin tonë se çdo proces gjyqësor duhet të zhvillohet mbi parimet më të larta të ligjit, duke respektuar të drejtat e secilit qytetar dhe prezumimin e pafajësisë si shtyllë kryesore të një shteti të së drejtës”, thotë reagimi i OVL-UÇK-së.