“Paraja publike është para e qytetarëve dhe jo e pushtetit. Qeveria ka të drejtë dhe detyrim ta administrojë buxhetin”, tha Marmullakaj.
Sipas tij, duhet të paguhen pagat, pensionet, skemat sociale, subvencionet dhe programet e planifikuara, ngase shteti nuk ndalon së funksionuari vetëm pse vendi hyn në periudhë zgjedhore.
Por, ai tha se problemi fillon kur kjo kompetencë përdoret jo më për interesin publik, por për t’i krijuar përparësi elektorale subjektit politik që kontrollon pushtetin dhe rrjedhimishtë kontrollon edhe buxhetin e vendit.
Hulumtuesi theksoi se Kosova sot është shumë më e avancuar në organizimin dhe administrimin teknik të zgjedhjeve. Por, integriteti zgjedhor nuk lidhet vetëm me ditën e votimit.
Sipas IKD-së, nëse një subjekt politik, përveç programit dhe financave të veta, përdor edhe buxhetin e shtetit për të krijuar avantazh, atëherë gara zgjedhore nuk është më plotësisht e barabartë.
“Kjo bëhet edhe më e ndjeshme në vende me mirëqenie më të ulët ekonomike, ku një pagesë prej 100 eurosh apo një përfitim tjetër financiar mund të ketë ndikim real në jetën e një familjeje”, tha Marmullakaj.
Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të mërkurën me mbështetje të Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë, organizoi tryezën e diskutimit “Përgjegjësia penale e përdorimit të parasë publike për qëllime elektorale”, në kuadër të së cilës u publikua edhe analiza e IKD-së me të njëjtin titull.
Në këtë aktivitet, diskutohen gjetjet e analizës, si dhe Nisma Legjislative Qytetare për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit Penal, e mbështetur nga mbi 12 mijë qytetarë, në pjesën që synon përcaktimin e përgjegjësisë penale për përdorimin e parasë dhe burimeve publike për përfitim elektoral.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se mungon vullneti politik mbipartiak për të ndaluar përdorimin e parasë publike për qëllime elektorale.
Në tryezën e diskutimit për Nismën Legjislative Qytetare lidhur me përgjegjësinë penale të përdorimit të parasë publike për qëllime elektorale, të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Deliu-Kodra ka theksuar se është e papranueshme që të ndahen mjete dy ditë para zgjedhjeve, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ajo ka vlerësuar se vendimet që i ka marrë Qeveria kanë qenë të padrejta, ndërsa mënyra se si Qeveria ka vendosur të ndajë paratë në situatën e balotazhit të zgjedhjeve, përbën një interferim të pashoq.
“Nuk mundet dikush që i ka resurset e shtetit t’ia vendosë kujtdo dhe pastaj me partitë e tjera të shtetit të mos jetë e barabartë”, ka deklaruar Deliu-Kodra.
Deputetja ka sjellë shembuj konkret të ndarjeve të mjeteve publike në prag të proceseve zgjedhore, duke theksuar se raste të tilla cenojnë barazinë e subjekteve politike dhe kërkojnë përgjegjësi penale.
Kurse, Hykmete Bajrami, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), tha se është hera e parë që në buxhetin e Kosovës nuk aprovohen asnjë nga propozimet e opozitës.
Bajrami tha se është hera e parë në historinë e parlamentarizmit të Kosovës që asnjë amendament buxhetor i opozitës nuk pranohet, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ajo shtoi se nesër do të votohet buxheti i Kosovës, dhe para deputetëve vendoset për votim një buxhet ku një pjesë shumë e madhe e tij mbetet për alokim në bazë të dëshirave të Qeverisë.
Ndër të tjera, deputetja tha se kur bashkësia evropiane iu bën presion për kryerjen e obligimeve, Qeveria dëshiron komfortim që të shkojë në zgjedhje, të bëhet Kryeministër në detyrë, dhe të thotë se nuk ka kompentenca për implementimin e tyre.
Për fund, ajo deklaroi se keqpërdorimi i parasë duhet të sanksionohet si i tillë edhe jashtë periudhave zgjedhore.
Ndërsa, deutetja e Aleancës, Teuta Haxhiu shprehu mbështetje për këtë nismë.
Ajo theksoi se Qeveria nuk po vepron në interes të qytetarit dhe po keqpërdorin paranë publike në modelin më të keq para zgjedhjeve elektorale.
Sipas saj, kryeminsitri i vendit duhet ta kishte në interes paranë publike, por tha se këtë nuk e ka pasur.
Haxhiu theksoi se sipas saj, para zgjedhjeve elektorale kanë ndodhur keqpërdorime në modelin më të keq që është bërë në Kosovë.
“Pra, jashtë periudhës së fushatave zgjedhore keqpërdorimi i kësaj paraje, disa ditë para zgjedhjeve për të marrë vendime nuk është në rregull. Nëse ato vendime do të ishin për tërë vitin, por jo vetëm para zgjedhjeve do të ishte në rregull. Po të ishte për 12 muaj do ta kisha mirëkuptuar”, tha deputetja Haxhiu.
Gjithashtu, Haxhiu thekosi se rritja e pagave për vitin 2027 është paraparë në muajin korrik, andaj kjo strategji ajo vlerëson se është manipulim me qytetarët.
“Nuk e ka interesin kjo Qeveri te qytetari. Gjithçka është mashtrim i njerëzve në këtë vend. Ato taksa ishte dashur të ndaheshin drejt”, tha Haxhiu.
Deputetja po ashtu përmendi edhe lojërat mesdhetare që sipas saj, po rrezikohen për shkak të keq-menaxhimit të parasë publike dhe interesave që dalin jashtë përgjegjësise institucionale.
Po ahtu, tha se personalisht dhe si parti politike nga Aleanca, do t’a përkrahin dhe do të lobojnë për të ardhmen e kësaj nisme.
“Ne nuk do të jemi vetëm përkrahës, por edhe lobues dhe në çdo vend ku do të shkojmë do të flasim për këtë nismë. Përgëzime, unë dhe partia ime do të jemi gardianë për të shtyre këtë nismë”, shtoi deputetja Haxhiu.
