Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Podujevë thotë se nxënësit e shkollave fillore në këtë qytet janë të rrezikuar nga tufat e qenve endacakë, por edhe nga mësimdhënësit e pakualifikuar.
PDK thotë se vizitat e kryetarit aktual të komunës së Podujevës, Agim Veliu, nëpër shkolla së bashku me ekipet e QKMF-së, tani që jemi në vitin elektoral të zgjedhjeve lokale, janë më shumë për marketing politik, sesa që kryetarit Veliu i intereson shëndeti i fëmijëve të Podujevës, pasi kanë kaluar 3 vite të këtij mandati dhe kjo praktikë s’kishte ndodhur asnjëherë.
“Nxënësit e pesë shkollave fillore në qytetin e Podujevës, e sidomos tri prej tyre që janë në qendër të qytetit, ajo ‘Shaban Shala’, ‘Naim Frashëri’, ‘Ibrahim Rugova’, janë të rrezikuar në mënyrë të përhershme nga tufat e qenve endacak, të cilët sillen rreth e qark qytetit të Podujevës”, thekson ky subjekt opozitar, nëpërmes një komunikate shtypi.
“Komuna e Podujevës, ka derdhur mijëra euro në Shoqatën e Gjuetarëve ‘Llapi’, pagesë kjo për eliminimin e qenve endacakë, sipas një marrëveshjeje të arritur më herët, e problemi vazhdon të jetë i tillë, ndërsa fondet janë thithur, kurse efekti është zero”.
Për të siguruar të ardhme të ndritur për të rinjtë dhe të rejat e komunës së Podujevës, sipas Degës së PDK-së, kryetari Veliu duhet të heqë dorë nga politizimi i skajshëm i arsimit në Podujevë, “sepse kjo është mënyra e cila po e vret të ardhmen dhe dijen e nxënësve tanë”.
“Në qeverisjen e Komunës së Podujevës nga LDK-ja, ndër vite numri i të punësuarve të pakualifikuar dhe jashtë profesionit në arsimin paraunversitar, fillor dhe të mesëm ka arritur në qindra. Ky lloj operacioni social pa anestezion ka ndikuar që suksesi i nxënëseve të shkollave të mesme asnjëherë mos të jetë më i lartë se 2.3, si notë mesatare (mjaftueshëm)”.
Veprimet e tilla “despotike”, sikur shprehet ky subjekt politik, përdhosin dhe persekutojnë dinjitetin njerëzor dhe familjar, mundin dhe djersën e familjeve që ndajnë kafshatën e gojës për shkollimin e fëmijëve të tyre. “Derisa të pakualifikuarit japin mësim, kurse ata me diploma universitare bredhin rrugëve”.