“Përplasje” në Komisionin për Arsim, shkak Projektligji për Kinematografinë

Prishtinë | 26 Nën 2018 | 14:29 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi nuk ka pasur mundësinë të shqyrtoj ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kinematografinë.

Kjo për shkak se në Projektligjin për ndryshim-plotësim të ligjit për Kinematografinë, në krahasim me projektligjin e kaluar kishte ulje të gjobave dhe harmonizim me ligjin për kundërvajtjen.

Komisioni u përcoll me shumë debate në mes deputetëve Teta Haxhiut, Albulena Balaj,  Ismajl Kurteshi dhe Valentina Bunjaku.

Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu dhe  deputetja e Nismës Socialdemokrate, Albulena Balaj ishin pro këtij ndryshimi që nga fillimi por që u kundërshtua fuqishëm nga deputeti i Vetëvendosjes, Ismajl Kurteshi dhe deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku.

Për këtë Projektligj ishin 3 vota pro dhe 3 kundër.

Kryetari i Komisionit, Ismajl Kurteshi tha se ky projektligj nuk kalon, por anëtarja Haxhiu kërkoi shpjegime se pse nuk kalon me votat e njëjta. Si pasojë e kësaj ndodhi një debat i tensionuar me Kurteshit dhe Haxhiut.

Pasi Haxhiu kërkonte fjalën disa herë, Kurteshi i tha “të qes krejt jashtë”.

Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Albulena Balaj-Halimaj tha se këtë fjalor të kryesuesit ndaj anëtarëve të komisionit nuk e pranon dhe për këtë ajo lëshoi mbledhjen bashkë me deputeten e AAK-së, Teuta Haxhiun.

“Fjalori i juaj i sotëm ishte shumë i keq ndaj anëtareve të komisionit, si ajo qe thatë të qes krejt jashtë unë në shenjë proteste e lëshoj krejt komisionin”, tha Balaj Halimaj.

Betim Jahaj, përfaqësues i MKRS-së, tha se projektligji për kinematografinë ka vetëm një ndryshim, vlerën e gjobës. Por anëtarët e këtij komisioni nuk u pajtuan me vlerën e kësaj gjobe.

“Ligji për Kinematografinë ka qëllim harmonizimin e dispozitave që parashohin gjoba për ligjin për kundërvajtjen dhe besojmë se e kemi bërë këtë, harmonizimin e vlerave, nuk ka ndërhyrje diçka në tekst, nuk ka dispozita, por vetëm për gjoba ka ndryshim“, tha Jahaj.

Deputeti, Driton Çaushi tha se gjoba e cila është ndërruar është tejet e vogël dhe kjo gjobë nuk parandalon rastet e keqpërdorimeve.

“Ajo që ka qenë një gjobë 100 mijë deri 120 mijë euro, me ndryshimin e propozuar kjo bie në 2 mijë deri 20 mijë dhe një gjobë e tillë të cilën e keni ndryshuar nuk e parandalon rastin  e keqpërdorimeve”, tha Caushi.

Valentina Bunjaku-Rexhepi tha se kjo gjobë është e vogël dhe secili biznes e përballon atë shumë.

“Gjoba është e vogël dhe nëse është aq, bizneset nuk e kanë problem për të ndërruar destinacionin e kinematografisë, duhet të rritet gjoba”, tha ajo.

E, Kurteshi tha se harmonizimin me ligje tjera e ka drejtësia si kompetencë. Ai u shpreh kundër këtij ndryshimi të projektligjit.

“Obligim i komisionit është që t’ i mbroj ato objekte, mundësinë më të madhe të zhvillimit të aktiviteteve të kulturës në vendet e caktuara dhe ne duhet t’i mbrojmë të drejtat e kulturës. Të merremi me harmonizim, ne nuk duhet ta bëjmë këtë por duhet drejtësia, jam kundër ndryshimit të këtij ligji për ndërrimin e vendit me një gjobë kaq të vogël dhe nuk bëjmë mirë nëse ndryshohen këto vlera”, tha Kurteshi.

Jahaj tha se sipas ligjit për kundërvajtje nuk lejohet gjoba më e madhe se 20 mijë euro. Sipas tij, kjo shumë mund të dyfishohet vetëm në rast se ka qenë për përfitime personale.

“Vlera e gjobës tash 20 mijë euro maksimumi, ligji për kundërvajtje nuk na lejon më shumë gjobë, kjo mund të dyfishohet vetëm në rast se është për përfitime të veta”, tha Jahaj.

Komisioni nuk ka arritur të shqyrtoj as Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Bibliotekat.

Të ngjashme