Policia apelon për kujdes të shtuar në trafik për shkak të borës

Prishtinë | 09 Jan 2019 | 11:05 | Nga Ekonomia Online

Referuar kushteve atmosferike, ndryshimit të motit me të reshura më të dendura të borës në vendin tonë, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes më të shtuar gjatë ngasjes së automjeteve në trafik.

“Ju informojmë se Policia e Kosovës përmes planeve konkrete me njësitet e saj ka marrë masa për përforcimin e shërbimeve të Policisë së Komunikacionit Rrugor në të gjitha akset rrugore, me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë dhe parandalimit të aksidenteve në trafik”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që të respektojnë shenjat e komunikacionit rrugor si dhe t’u përshtaten kushteve atmosferike gjatë ngasjes së automjeteve, sepse tani të reshurat ndikojnë në zvogëlimin e dukshmërisë në rrugë, ku në disa akse rrugore mund të paraqiten vështirësi në qarkullimin rrugor e sidomos në orët e vona dhe ato të hershme ku mund të paraqiten edhe ngrica.

Policia e Kosovës vazhdon të apeloj tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë dispozitat ligjore të lëmit të komunikacionit, të posedojnë pajisjet e nevojshme dimërore, të ju përshtaten kushteve të rrugës dhe kushteve atmosferike, pasi që këto norma janë vendosur për mbrojtjen e jetës së tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion.

Në të kundërtën Policia e Kosovës njofton të gjithë qytetarët, opinionin e gjerë se do të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, me të vetmin qëllim për ngritjen e nivelit të sigurisë në trafik, parandalimin e aksidenteve, e në veçanti të atyre me pasoja fatale.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme