Policia, e gatshme të parandalojë dhe luftojë dhunën në familje, thotë ministri Gashi

Prishtinë | 23 Gus 2018 | 17:16 | Nga

Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, tha se parandalimi dhe luftimi i dhunës në familje është një nga prioritetet kryesore të ministrisë që ai drejton.

“Si Ministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ju siguroj se përmes Policisë së Kosovës do të ndërmerren të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme në kuadër të përgjegjësive tona kushtetuese dhe ligjore, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të dhunës në familje, si dhe ndihmës së viktimave të kësaj forme të kriminalitetit”, theksoi Gashi gjatë një tryeze të rrumbullakët “Dhuna në Familje”, takim ky i organizuar nga Ekipi Veprues për Siguri në Bashkësi në Gjakovë, përkrahur nga ICITAP, (Programi Ndërkombëtar i Asistencës në Trajnim për Hetimet Penale) dhe mbështetur nga MPB-Departamenti për Siguri Publike, Policia e Kosovës dhe akterët tjerë relevant.

Gjithashtu ministri Gashi theksoi se në nivel shtetëror, Qeveria e Kosovës ka miratuar “Strategjinë Kombëtare të Republikës së Kosovës për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Planin e Veprimit 2016 – 2020”.

“Natyrisht që Ministria e Punëve të Brendshme ka kontribuar në hartimin e kësaj strategjie, si dhe deri më tani ka implementuar shumicën e aktiviteteve të përcaktuara me planin e veprimit. Po ashtu, Ministria e Punëve të Brendshme përmes Policisë së Kosovës ka kontribuar edhe në hartimin e Ligjit për Mbrojtje kundër Dhunës në Familje”, theksoi Gashi.

Ministri vuri në dukje se në vitin 2017 në Policinë e Kosovës janë raportuar 1269 raste të cilat janë hetuar dhe prej tyre janë ngritur 1205 kallëzime penale për shkak të dhunës në familje. Ndërsa në gjashtë mujorin e parë të vitit 2018 janë raportuar 628 raste të cilat janë hetuar dhe prej tyre janë ngritur 556 kallëzime penale.

Në këtë tryezë me nga një fjalë rasti të pranishmeve iu drejtuan edhe Kimberly Riffe, menaxhere e Programit të ICITAP-it, Bedri Cahani, koordinator i EVSB Gjakovë, si dhe akterë tjerë që merren me dhunën në familje.

Pas tryezës, ministri Gashi vizitoi Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në Gjakovë, ku u prit nga drejtori rajonal, kolonel Ahmet Hasi. Zyrtarët policorë në Gjakovë vlerësuan se situata e përgjithshme e sigurisë në këtë komunë është stabile dhe nuk ka pasur ndonjë incident që do të cenonte sigurinë. Ministri Gashi shprehi gatishmërinë e tij si ministër dhe të MPB-së për përkrahen e policisë në Gjakovë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme