Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë bashkëpunojnë gjatë sezonit turistik

Prishtinë | 27 Kor 2016 | 16:45 | Nga

Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë vazhduar avancimin bashkëpunimit ndërpolicor ndërmjet dy vendeve, si dhe me qëllim të intensifikimit të marrëdhënieve përmes planifikimeve dhe zbatimit të masave të përbashkëta policore.

Kështu, këtë të mërkure gjatë një takimi të mbajtur në Lezhë të Shqipërisë, Naim Rexha, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës dhe Rebani Jakupi, Zëvendësdrejtor i Policisë së Shtetit të Shqipërisë, drejtues i lartë, nënshkruan një memorandum bashkëpunimi për bashkëpunim gjatë sezonit turistik 2016 në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

“Qëllimi i këtij memorandumi është vendosja e bashkëpunimit sa më cilësor policor, në trajnime të avancuara në procesin e shkëmbimit të praktikave policore në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, parandalimin e kriminalitetit, veçanërisht në format komplekse të krimit të organizuar, krimit me elemente ndërkombëtare si dhe veprave tjera penale”, thuhet më tej në komunikatën për medie të Policisë.

Si rezultat i kësaj marrëveshje bashkëpunimi Policia e Kosovës do të dërgojë në Shqipëri disa zyrtarë policor të cilët do të merren me ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në disa qytete si në Durrës, Lezhë dhe në Shkodër.

“Me rastin e nënshkrimit të këtij memorandumi të dy zëvendësdrejtorët, Rexha dhe Jaukpi vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyeshme të dy policive, jo vetëm në fushën e rendit publik por edhe të policimit rrugor si dhe formave tjera të luftimit të kriminalitetit”, thuhet në komunikatë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme