Beatrisa Pista: Do të bëhem deputete për ta zbardhur vrasjen e vëllait

Prishtinë | 23 Maj 2017 | 16:37 | Nga

Vendimin për të ndjekur rrugën e vëllait të saj, Beatrisa, në një bisedë për Express, thotë se nuk e ka marrë për ta zëvendësuar Elvisin.

Tri vite me parë, saktësisht në muajin qershor, njëri prej kandidatëve më serioz për deputet të PDK-së për qytetin e Rahovecit kishte qenë Elvis Pista. Ende pa marrë fund i gjithë procesi zgjedhor, në rrethana misterioze, ai u vra duke dalë nga një restorant, natën vonë.

Kandidatja e PDK-së për deputetet thotë se vendosi të garojë në zgjedhjet parlamentare sepse Rahoveci, vendi nga ajo vjen, nuk ka përfaqësim në nivel qendror.

“Vij nga një prej rajoneve më të diskriminuara në aspektin e zhvillimit në të gjitha sferat. Një rajoni, i cili ka tash e disa vjet që nuk ka përfaqësim në institucionin më të lartë”, thotë Pista.
Përveç kësaj, arsye tjetër, e fortë e Beatrisës për të qenë pjesë e Kuvendit është edhe vrasja e vëllait të saj.

“Këtë e shoh si një mundësi më serioze për të ringritur çështjen e vrasjes së vëllait tim, i vrarë në mënyrë qyqare dhe shumë misterioze një javë pas zgjedhjeve të kaluara”.

Vendimin për të ndjekur rrugën e vëllait të saj, Beatrisa thotë se nuk është kurrsesi mënyrë e zëvendësimit të tij politik, sepse, për të Elvis Pista është i pazëvendësueshëm, edhe në politikë.

“Ai e ka vendin e vet, është i pazëvendësueshëm. Unë jam në politikë po ashtu që një kohë të gjatë dhe kam krijuar personalitetin tim në këtë sferë, duke qenë tri mandate radhazi asambliste. Kam rrugëtimin tim sa do i vështirë që është, nga se nuk do të arrij asnjëherë që të zëvendësoj vëllain tim!”

Pista, në zgjedhjet e 2014-ës kishte marrë mbi pesë mijë vota, duke qenë kështu kandidati më i votuar i qytetit të Rahovecit nga PDK. Beatrisa thotë se pret përkrahje nga qyteti i saj, por këtë ta marrë për atë që ajo dëshiron të përfaqësoj.

“Do të jem zëri i fuqishëm që i ka munguar Rahovecit në kuvend që nga paslufta. Dua që të votohem për këtë. Elvisi duhet të pushojë i qetë, dua të marr besimin njëjtë sikur ai – për kontributin që mund t’i japim Rahovecit dhe vendit tonë, jo për arsye tjera”, thotë kandidatja e PDK-së.

Beatrisa, për vrasjen e vëllait të saj tregon se i beson institucioneve të vendit, në drejtësinë e tij dhe pikërisht nga këto institucione pret edhe zbardhjen e kësaj vrasjeje.

Motra e Elvis Pistës shpjegon se ka qenë gjithmonë pjesë e PDK-së edhe para se vëllai i saj të vritej dhe se kandidatura e saj në këto zgjedhje nga radhët e Partisë Demokratike nuk ka për shkak aktivitetin e vëllait të saj, apo vrasjen e tij.

“Për tri mandate kam qenë asambleiste në kuvendin komunal të Rahovecit.”, tregon motra e Elvis Pistës, e cila është pjesë e listës së koalicionit PDK-AAK-Nisma për deputete.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme