Ekipi i Pacollit dhuron gjak, sensibilizim për sigurinë rrugore

Prishtinë | 08 Tet 2017 | 16:07 | Nga

I shoqëruar nga kandidatët për Kuvend Komunal dhe të rinj të kryeqytetit, Selim Pacolli, kandidat i Aleancës Kosova e Re për kryetar të Prishtinës vizitoi sot Qendrën për Transfuzionin e Gjakut në QKUK.

Pacolli tha se simbolika e sotme e dhurimit të gjakut ka për qëllim t’i përkrahë njerëzit në nevojë dhe t’i shërbejë ndërgjegjësimit qytetar e institucional për sigurinë rrugore.

Në fjalën e tij para medieve, Pacolli tha se dhurimi i gjakut është dhurim i shpresës, duke potencuar se ai dhe ekipi i tij duan të solidarizohen me qytetarët që në një formë ose tjetër janë prekur nga aksidentet.

Kandidati i Aleancës Kosova e Re (AKR) iu referua shifrave të larta të aksidenteve dhe humbjes tragjike të jetës nga shumë qytetarë të Kosovës dhe Prishtinës, ndërsa vetëm në regjionin e Prishtinës, Pacolli tha të kenë pësuar aksidente 3 200 qytetarë, nga të cilët 23 me fatalitet.

“Sot po dhurojmë gjak për aksidentet e ardhshme: fatkeqësisht politikanët vetëm po flasin, por nuk po bëjnë shumë as kur është fjala për sigurinë në trafik. Tani është koha të ndalemi së foluri dhe të fillojmë të veprojmë. Pas zgjedhjeve, prioriteti im kryesor do të jetë ta bëjë trafikun më të mirë dhe më të sigurt. Deri atëherë, të shpresojmë se nuk do të ketë më aksidente askund” ka thënë Pacolli.

Pacolli premtoi që programi i tij do t’i japë fund kaosit në trafik, të përmirësojë sinjalistikën, vendosjen e sinjalistikës dhe ndriçimit. Për Pacollin, institucionet duhet të veprojnë dhe duhet plan për vendosjen e rregullit dhe sigurisë në trafik.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme