Prishtina mposht Bashkimin, Dardan Berisha shkëlqen

Prishtinë | 21 Jan 2023 | 19:46 | Nga Ekonomia Online

Me Ahmet Kandemirin në krye, Prishtina ka ndalur ndoshta pak epërsinë në fitore, por gjithsesi ka bërë katër fitore në katër ndeshjet me trajnerin e ri. Viktimë e radhës për bardhekalërit sonte ka qenë Bashkimi i Prizrenit, që luftoi mjaft, por sa për të mos u mposhtur më thellë.

Prishtina fitoi Bashkimin 86-68 [16-11, 22-23, 28-21, 20-13] ndërsa kapiteni i ekipit Dardan Berisha shkëlqeu me 29 pikë të shënuara, 7 asistime dhe 6 kërcime. Pos këtyre, ai bëri edhe 2 rrëmbime topi nga kundërshtari, kurse shutoi me saktësi 50% për tri pikë, duke shënuar 6 nga 12 tentime.

Debutuesi Deondre Parks shënoi 15 pikë në 15 minuta sa luajti sonte, ndërsa 17 pikë dha Dustin Thomas, në përballjen ku Prishtina festoi fanellat kuq-e-zi, ndërsa regjistroi fitoren e 14 të stinorit dhe përkohësisht mori kreun e renditjes tabelare.

Bashkimi në anën tjetër e kishte shumë më vështirë pa Fahro Alihodzicin nën kosh, ndërsa nga lojtarët që luajnë nën kosh siguroi vetëm 19 pikë, ku Samardo Samuels dha 18, ndërsa Fisnik Rugova 1. Më efikasi te Bashkimi ishte Curtis Jones, që e nisi mirë ndeshjen me treshe, por pas pjesës së parë u ndalë.

Jones kreu lojën me 24 pikë e 6 kërcime, ndërsa Bashkimi pësoi humbjen e 11 të stinorit.

Pas këtij dueli, Prishtina ka bilanc 14-5 kurse Bashkimi 8-11.

Të ngjashme