Projekt i përbashkët në fushën e menaxhimit të qëndrueshëm të mbeturinave në mes të Komunës së Fushë-Kosovës, GIZ dhe GAC

Prishtinë | 16 Kor 2020 | 15:11 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Fushë-Kosovës e përfaqësuar nga kryetari i Komunës z. Burim Berisha ka lidhur Memorandum të Mirëkuptimit me “Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit” (GIZ) GmbH dhe Organizatën Joqeveritare “Green Art Center-Prishtina” (GAC) për Partneritet në implementimin e projektit në fushën e menaxhimit të qëndrueshëm të mbeturinave.

Memorandumi i Mirëkuptimit (MoU) përcakton termat për mirëkuptimin, bashkëpunimin dhe bashkëfinancimin midis “Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit” (GIZ) GmbH, Komunës së Fushë-Kosovës dhe Organizatës Joqeveritare “Green Art Center – Prishtina”(GAC), lidhur me projektin “Pilotimi i Kompostimit në Shtëpi në 6 Komunat e Kosovës”. GIZ-i është i obliguar që të mbështesë komunën e Fushë-Kosovës, si fituese e projektit, me infrastrukturë 266 komposterë shtëpiak dhe asistencë teknike gjatë implementimit të projektit.

Komuna e Fushë-Kosovës po ashtu është e obliguar të implementojë dhe bashkëfinancojë në partneritet me GIZ-in projektin “Pilotimi i Kompostimit në Shtëpi në 6 Komunat e Kosovës” në përputhje me vetë-kontributin e premtuar më parë në shumë prej 4000 €.

OJQ “Green Art Center – Prishtina” (GAC) si organizatë mbështetëse e kontraktuar nga GIZ-i është e obliguar t’i ofrojë Komunës mbështetje teknike gjatë implementimit të projektit “Pilotimi i Kompostimit Shtëpiak në 6 Komuna të Kosovës”. Ky memorandum do të hyjë në fuqi pas nënshkrimit nga përfaqësuesit e GIZ-it, OJQ “Green Art Center – Prishtina” (GAC) dhe Komunës së Fushë-Kosovës derisa të përfundojë implementimi në pajtueshmëri me të gjitha palët kontraktuale.

Të ngjashme