Prokuroria thotë se vrasja e gruas nga burri i saj në Gjakovë, nuk ishte aksidentale

Prishtinë | 22 Gus 2018 | 16:11 | Nga

Gjykata Themelore në Gjakovë, ka caktuar një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasje të rëndë, Xhafer Shkodra.

Shkodra dyshohet se më 19 gusht të këtij viti, në Gjakovë, e ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij 61 vjeçare, Rabe Shkodra, duke bërë që të demantohet Policia e Kosovës për rajonin e Gjakovës, e cila këtë rast e kishte cilësuar si vrasje aksidentale.

Caktimi i masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit, është bërë në seancën dëgjimore të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Kjo masë është caktuar, pasi paraprakisht një gjë të tillë e kishte kërkuar Prokuroria Themelore në Gjakovë.

Prokurori i rastit, Ali Uka, ka përpiluar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj të dyshuarit Xhafer Shkodra për vrasjen e gruas së tij, Rabe Shkodra.

I pandehuri më 19 gusht 2018, në ora 00:00, në Gjakovë dyshohet të ketë privuar nga jeta bashkëshorten e tij, Rabe Shkodra, e moshës 61 vjeçare, pas një fjalosje të çastit që i pandehuri kishte pasur me tani të ndjerën Rabe Shkodra.

Në seancën dëgjimore, gjykatësi i rastit, Shaqir Zika, me aktvendim ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do t’i llogaritet nga 20 gusht 2018 dhe do zgjasë deri më 19 shtator 2018.

Një ditë pasi që kishte ndodhur rasti, në një deklaratë për media, Policia e Kosovës, e kishte cilësuar rastin si vrasje aksidentale.

“Policia me të gjitha njësitë relevante ka marr të gjitha masat me qëllim të hetimit dhe zbardhjes së këtij rasti dhe përmes hetimeve të para ka kuptuar se rasti ka ndodhur në Gjakovë në rrugën “Ali Ibra”, në familje. Sipas deklaratave të familjarëve derisa në ballkon të shtëpisë bisedonin burrë e grua Xh.Sh, egjiptas/kosovar si dhe R.Sh e moshës 61 vjeçare, egjiptase/kosovare, është dëgjuar një e shtënë me armë. Familjarët menjëherë kanë dal dhe e kanë vërejtur babain e tyre duke bërë përpjekje të ndihmonte të plagosurën-nënën e tyre të cilën ata e kanë transportuar në qendrën emergjente në spitalin e Gjakovës, ku nga plagët e marra pas pak viktima kishte vdekur. Policia në vend ngjarjes ka gjetur armën me të cilën dyshohet se është plagosur viktima. Sipas deklaratave të familjarëve respektivisht fëmijëve të tyre bashkëshortët kanë jetuar në harmoni dhe nuk kanë pasur probleme në mes vete dhe dyshimet e tyre janë se rasti ka qenë aksidental dhe se nëna e tyre në atë moment ka qenë duke e pastruar armën me të cilën dyshohet se është kryer vepra. Bashkëshorti i viktimës ishte larguar nga shtëpia dhe më vonë është arrestuar nga policia në lagjen e tij dhe bazuar në deklaratën e tij viktima kishte pasur armën në dorë të cilën ishte duke e pastruar dhe aksidentalisht i ka shkrepur. Ai deklaron se ishte larguar nga shtëpia për shkak të gjendjes së rëndë emocionale”, thuhej në komunikatën e Policisë së Gjakovës.

Por, atë ditë si vrasje të dyshimtë më pas e kishte vlerësuar Prokuroria Themelore në Gjakovë.

Derisa, sipas përpilimit të kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, prokuroria thotë se pas hetimit të rrethanave, rasti tash është cilësuar si vrasje e rëndë dhe këtë dyshohet ta ketë kryer tani i pandehuri Shkodra.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme