Protesta studentore, presidenti Meta kërkon reagim nga institucionet

Prishtinë | 06 Dhj 2018 | 13:05 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar pas protestës së studentëve që janë ngritur kundër tarifave të vendosura për arsimimin e tyre dhe për provimet mbetëse.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se Kreu i Shtetit po ndjek me vëmendje protestat e studentëve të universiteteve në disa qytete të vendit dhe kërkon nga institucionet përgjegjëse që të adresojnë këto çështje që po shqetësojnë studentët.

“Duke vlerësuar situatën e krijuar, Presidenti Meta u bën thirrje autoriteteve dhe institucioneve përgjegjëse të dëshmojnë ndjeshmërinë dhe përgjegjësinë e duhur në adresimin e çështjeve që shqetësojnë studentët, në përputhje me kuadrin ligjor dhe të frymës së dialogut për një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të drejtë në interesin më të mirë publik”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Meta thekson se ‘duhen bërë me shumë përpjekje për një arsim dhe edukim sa më cilësor, që garanton shanse të barabarta për të gjithë, pavarësisht mundësive të tyre financiare’.

“Rinia është aseti ynë me i çmuar kombëtar, ndaj dhe kujdesi ndaj shqetësimeve dhe aspiratave të tyre duhet të jetë prioritet i të gjithëve, sidomos i institucioneve”, thuhet në njoftim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme