PS-ja kërkon përjashtimin e 6 deputetëve të opozitës

Prishtinë | 06 Dhj 2023 | 16:32 | Nga Ekonomia Online

Partia Socialiste kërkon përjashtimin e 6 deputetëve të opozitës, pas trazirave të shkaktuara në seancën e së hënës.

Në kërkesën e firmosur nga 7 deputetë të PS kërkohet përjashtimi i Sali Berishës, Gazment Bardhit, Flamur Nokës, Edi Palokës, Elda Hotit, Albana Vokshit.

“Kaosi i krijuar nga deputetë të caktuar të opozitës në seancën plenare të datës 04.12.2023. pengoi zhvillimin normal të saj duke mos lejuar që deputetë të caktuar të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të mbanin fjalën e tyre, për shkak të situatës së krijuar. Këto sjellje të përsëritura të deputetëve të opozitës janë në shkelje të rëndë me Rregulloren e Kuvendit dhe Kodin e Sjelljes së Deputetit të Kuvendit të Shqipërisë. Që në nisje të seancës deputetë të opozitës bllokuan foltoren duke vendosur karriget si barrikade para saj”.

Deputeti Flamur Noka ndezi disa flakadanë duke shkaktuar kaos dhe rrëmujë në sallë. Njërin prej flakadanëve deputeti Noka e hodhi në drejtim të Kryetares së Kuvendit. Edhe pse drejtuesja e seancës mori masë disiplinore ndaj deputetit, ai vijoi përsëri të cenojë mbarëvajtjen e seancës plenare. Situata agravoi edhe më tej në momentin kur deputeti Noka i vuri flakën disa herë letrave dhe i vendosi tek karriget që ishin vendosur për të bllokuar foltoren, duke rrezikuar kështu jetën e deputetëve dhe të stafit në sallë”, theksohet në kërkesë.

Të ngjashme