PSD-ja kërkon që të mos ketë paga mbi koeficientin 10

Prishtinë | 25 Tet 2018 | 14:59 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partia Socialdemokrate ka mbajtur konferencë për media rreth pakos së reformave të administratës publike. Shqipe Pantina, ka thënë se e mbështesin këtë ligj, megjithëse sipas saj është vonuar, ndërsa ka thënë se qeveria duhet të bëjë një barazi në mes të sektorëve si dhe të ulë koeficientin e pagave.

Sipas saj, problem tjetër janë edhe shtesat, numri i madh i tyre dhe llojet e ndryshme të shpërndarjes, raporton EkonomiaOnline.

“PSD e përshëndet pakon e administratës publike, ndonëse është e vonuar megjithëse si e tillë nuk garanton se do kemi reformim të mirëfilltë të administratës publike, që do siguronte edhe qëndrueshmëri të institucioneve publike dhe do ofronte shërbime cilësore për qytetarët,” tha Pantina.

“Me këtë ligj shteti më shumë është kujdes që t’i forcojë sektorët që janë në shërbim të vet se sa ata që janë në shërbim të qytetarëve, siç janë sektori i shëndetësisë dhe ai i arsimit. Një çështje e tillë ndikon që shteti të jetë i varur nga politika e jo i ndërtuar mbi shtylla profesionale. Ligji krijon një disproporcion shumë të madh sa i përket nivelit më të ulët të pagës në raport me pagën më të lartë. Paga më e lartë që është ajo e Presidentit vlerësohet me 12 kurse paga më e ulët me një. Qëdrimi jonë është që të mos ketë koeficient më të lartë se 10 e cila duhet të jetë pozita e Presidentit dhe pastaj të tjerat të renditen më poshtë. Ligji nuk respekton parimin për punë të barabartë, pagë të barabartë”.

“Pabarazitë ekzistojnë edhe në sektorin e drejtësi ku prokurori paguhet më shumë së gjykatësi, ndonëse përgjegjësia e të dyve mund të jetë e njëjtë. Megjithëse se jemi për forcim të sektorit të drejtësisë, janë disa pozita brenda këtij sektori të mbivlerësuara në raport me sektorët e therë të administratës publike. Një gjyqtar në gjykatën themelore është më i vlerësuar se një mjek specialist”.

Probleme tjera  sa i përket ligjit sipas Pantinës janë edhe shtesat, numri dhe lloji i madh i tyre dhe mënyrat si janë paraparë ato, raporton EO.

“Vetëm e legjitimon kaosin që e kemi dhe nuk garanton transparencë. Pra me këtë projektligj është përcaktuar vlera e koeficientit e cila është 239 euro, por ajo mund të ndryshohet çdo vit siç e parasheh ligji për buxhet. Kjo do të thotë se kurdo që kemi zgjedhje, qeveria mund të rrisë koeficientin, për efekte elektorale ku pjesa më e madhe ka shkuar në paga e mëditje, duke zvogëluar investimet kapitale. Ndonëse do të mbështesim në parim pakon e administratës publike, shtojmë se tabela me koeficient duhet të ndryshohet rrënjësisht dhe t’i jap përparësi sistemit të arsimit dhe shëndetësisë”.

Ajo ka ftuar të gjitha sindikatat që kanë shqetësim në këtë ligj, të drejtohen në PSD.

“Ne e theksojmë, duke qenë i vetmi zë brenda Kuvendit, i bëjmë thirrje te gjitha sindikatave të sektorëve të ndryshëm, sidomos të shëndetësisë dhe arsimit por edhe të tjerëve që kanë shqetësime për ligjin, të pakos së reformës së administratës publike të na kontaktojnë, sepse jemi të hapur t’i dëgjojmë”.

Besa Baftiu, kryetare e komisionit për shëndetësi, ka thënë se mjekët meritojnë më shumë pavarësisht përmirësimeve që kanë pasur.

“Në projekt për paga sado që ka përmirësime, mendojmë se mjekët meritojnë më shumë. Për PSD-në  shëndetësia është prioritet dhe si e tillë duhet të trajtohet. Ne po kërkojmë që profesionistët shëndetësorë të kenë jetë të dinjitetshme,” tha Baftiu.

“Është momenti fundit të merren parasysh dhe të bëjë ngritje të pagave. Pikërisht qeveria të merr parasysh të gjitha ngritjet që i kanë kërkuar profesionistët shëndetësorë”.

“Ne konsiderojmë se dallimi në koeficient mes mjekësve profesionist dhe atyre familjar nuk duhet të jetë dallimi sepse nëse qeveria mendon që mjekësia familjare është prioritet, duhet të bëjë barazi atëherë. Argument tjetër për ta bërë këtë barazi është se ne në Kosovë nuk kemi mjekë familjarë të mjaftueshëm. Mjekë familjarë në Kosovë janë 552 mjekë me moshë mesatare 55 vjeçare, e për t’i përmbushur nevojat duhet edhe 402 mjekë të mjekësisë familjare”.

Të ngjashme