Qeveria miraton master-planin për fillimin e vitit të ri shkollor

Prishtinë | 26 Gus 2020 | 16:27 | Nga Hasan Hoti

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur ka miratuar vendimin për përkrahjen institucionale dhe financiare për fillimin dhe realizimin e suksesshëm të vitit shkollor 2020-2021, raporton Ekonomia Online.

Vendimi i miratuar në mbledhjen e sotme është bërë sipas kërkesës së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për përkrahje institucionale dhe financiare për fillimin dhe realizimin e suksesshëm të viti shkollor 2020-2021. Mjetet e nevojshme janë llogaritur në vlerë prej 9,515,384 euro.

“Vendimet për fillimin e vitit shkollor mund ta bëjmë menjëherë nëse aprovohet ky master-plan. Fillimisht  bëhet në tri faza, duke filluar nga data 1 shtator. IKSHPK-ja na ka thënë se është e pamundur të bëhen plane afatgjate dhe ne kemi bërë që pajisjet dezinfektuese të jenë në secilin objekt shkollor. Nuk mund të bëjmë plane më shumë se 12 javë”, tha Likaj

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka paraparë format e mësimit në shkollë dhe e-mësimit, të cilat do të zbatohen në nivele dhe shërbime të ndryshme të arsimit para universitar dhe të cilat do të aplikohen varësisht nga skenari për të cilin do të përcaktohen autoritetet kosovare për zhvillimin e mësimit gjatë vitit shkollor 2020-2021.

Mësimi online dhe në distancë do të zhvillohet dhe publikohet paralelisht me aplikimin e skenarëve të ndryshëm për të qenë në dispozicion të të gjithë nxënësve në Kosovë edhe si formë rezervë në raste të situatave të paparashikuara.

Kabineti qeveritar ka miratuar gjithashtu edhe me Master-Planin e projektit për mësimin 2020, i cili shqyrton të gjitha format dhe mundësitë e organizimit të mësimit në vitin shkollor 2020-221. Dokumenti prezanton tre skenarë të ndryshëm, të mundshëm për organizimin e mësimit, sipas kushteve dhe situatave të ndryshme në institucionet e arsimit parauniversitar në Kosovë:

a)  Organizimi i mësimit në shkolla – kërkon investime në pastërti, mirëmbajtje dhe dezinfektim të shkollave;

b)  Mësimi i kombinuar (mësimi në shkolla dhe mësimi në distancë) – kërkon gjithashtu investim në pastërti, mirëmbajtje dhe dezinfektim. Kërkon angazhim e stafit ndihmës-rezervë duke përfshirë mësues, punëtorë teknik, mjek dhe psikolog. Ky opsion kërkon që njëkohësisht të zhvillohet edhe mësimi online.

c)  Mësimi online dhe në distancë – ky opsion kërkon sigurimin dhe blerjen e pajisjeve teknologjike dhe zhvillimin e mësimit online.

Të ngjashme