Qeverisja e VV-së në Gjilan po i trajton si të huaja projektet që filluan në kohën e Lufti Hazirit

Gjilan | 06 Maj 2023 | 18:38 | Nga Ekonomia Online

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në Gjilan ka kritikuar qeverisjen aktuale komunale se po i trajton si të huaja projektet të cilat kjo parti i kishte lënë të gatshme për t’i vazhduar.

“Në katër anët e qytetit është krijuar vetëm pluhur e tollovi, si pasojë e inateve politike, neglizhencës e mosdijes së kësaj administrate”, thuhet në një reagim të degës së LDK-së në Gjilan.

Magjistralja Gjilan-Bujanoc, magjistralja Gjilan-Ferizaj, magjistralja Gjilan-Prishtinë, autostrada Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë, Stadiumi i Qytetit, Fshati i Lumtur dhe shumë projekte të tjera, duket se nuk janë projekte me rëndësi për qeverisjen qendrore dhe lokale, ashtu siç janë për qytetarët e Gjilanit, thekson ky subjekt politik.

“Është e papranueshme që projektet të trajtohen me inate politike, sepse pavarësisht që ato janë nisur në mandatin e LDK-së, para se gjithash, janë projekte të qytetarëve tanë dhe jo të partive politike”.

LDK-ja thekson se qeverisja e udhëhequr nga Lutfi Haziri punoi shumë që të përfitojë besimin nga donatorët dhe qeveritë e ndryshme që u ndërruan, dhe së bashku me zyrtarët komunalë, kishte arritur që të përfitojë grante dhe projekte të mira për komunën.

“Mos i ndëshkoni sportistët, mos i ndëshkoni rastet sociale, mos i ndëshkoni qytetarët tanë, sepse nuk ua kanë me borxh këtë pasivitet e mosdije në qeverisje!”

“Viti i parë ishte i humbu për Gjilanin, i tillë po duket edhe viti i dytë. Urojmë të mos e kemi një mandat të humbur!”, përfundon reagimi i Degës së LDK-së në Gjilan.

Të ngjashme