Qeverisja komunale i shkel procedurat e prokurimit

Prishtinë | 24 Qer 2019 | 13:45 | Nga Ekonomia Online

Komunarët e Podujevës nuk kanë dalë aspak mirë me procedurat e prokurimit. Gjatë vitit të kaluar ata kanë bërë vazhdime të kontratave pa procedura të prokurimit, kanë përdorur procedura minimale dhe ka pasur mangësi të këtyre procedurave për pune shtesë.

Këto gjetje i ka regjistruar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e saj për qeverisjen e Komunës së Podujevës në vitin 2018. Sipas rregullave dhe Udhëzuesit të Prokurimit Publik (UOPP), një kontratë nuk mund të vazhdohet, përtërihet ose përcillet nga një kontratë pasuese pa administrimin e procedurës së re. E ZKA-ja ka gjetur se Komuna e Podujevës në nëntor të vitin 2017 kishte nënshkruar kontratën për furnizim me dru në vlerë 9.575€, me kohëzgjatje prej 10 ditësh, me arsyetimin se do të shfrytëzonte kontratën që do të lidhej nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP). Pas skadimit të kontratës së lartcekur, Komuna kishte vazhduar të njëjtën kontratë për afat të pacaktuar, duke anashkaluar Ligjin e prokurimit publik.

“Nga ky vazhdim kontrate, gjatë vitit 2018, Komuna kishte bërë blerje në vlerë prej 85,217€. Sipas Komunës, nevoja emergjente për ngrohje në shkollat e Podujevës, ka bërë që të vazhdohet kontrata në këtë mënyrë. Si rezultat i mosrespektimit të Ligjit të prokurimit në rastet emergjente siç është proceduara e negociuar apo urgjente, mund të jetë që, furnizimet me dru të jenë me çmime më të larta, ngase nuk ka dhënë mundësi të negocimit të çmimit, apo pranimit të ofertave të reja nga konkurrentët potencial”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme