Reagon Haskuka: Lopët për subvencione u sollën nga Sllovakia, jo nga Serbia

Prishtinë | 25 Kor 2019 | 09:50 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka sqaruar për opinionin publik se lopët që janë subvencionuar nga komuna për blegtorët e Prizrenit kanë origjinë nga Sllovakia.

Kamioni me të cilin janë sjellë ato kishte targa të Serbisë, gjë për të cilën reaguan zyrtarët komunalë nga partitë e tjera pasi Kosova ka vendosur taksë 100 për qind për produktet serbe.

Haskuka tha se këto janë shpifje dhe dezinformim i opinionit publik dhe se po bëhen për të vënë në hije një proces transparent.

“Origjina e kafshëve identifikohet nga shenjat identifikuese të kafshëve (vathët – matrikujt e vendosura në vesh) dhe dokumentacionet përcjellëse si pasaporta dhe certifikata shëndetësore veterinare, dhe jo nga targat e mjetit transportues. Pra, 99 krerë që Komuna e Prizrenit i ka shpërndarë fermerëve, kanë prejardhje nga Sllovakia dhe këtë e vërteton edhe pasaporta e kafshës në foto”.

Ja postimi i plotë:

Disa zyrtarë të PDK-së dhe AAK-së kanë dezinformuar opinion publik duke shpifur kinse lopët qumështore janë me prejardhje nga Serbia.

Origjina e kafshëve identifikohet nga shenjat identifikuese të kafshëve (vathët – matrikujt e vendosura në vesh) dhe dokumentacionet përcjellëse si pasaporta dhe certifikata shëndetësore veterinare, dhe jo nga targat e mjetit transportues.

Pra, 99 krerë që Komuna e Prizrenit i ka shpërndarë fermerëve, kanë prejardhje nga Sllovakia dhe këtë e vërteton edhe pasaporta e kafshës në foto.

Sa i përket transportit të kafshëve, ai bëhet nga operatori ekonomik sipas standardeve evropiane dhe dispozitave ligjore në fuqi, duke i plotësuar kushtet si ndriçimi, ajrosja, ushqimi dhe uji i pijes, ndërsa operatori është i obliguar që ta përdorë mjetin transportues konform këtyre dispozitave ligjore.

Gjithashtu sipas Ligjit për Prokurimin Publik, Komuna duhet t’i trajtojë operatorët ekonomik në mënyrë të barabartë dhe nuk mund të përcaktojë kritere diskriminuese, në këtë rast të përcaktojë regjistrimin e mjetit transportues.

Të gjitha këto pretendime janë me qëllim që t’i vëjnë hije një procesi mjaft transparent dhe profesional në përzgjedhjen e fermerëve përfitues të komunës sonë. Ndryshe nga sivjet kur patëm numër rekord të aplikuesve, në vitin 2016 kur ishte qeverisja e kaluar nuk ka pasur as thirrje publike dhe shpërndarja është bërë në baza partiake, ndërsa në vitin 2017 projekti nuk është realizuar fare.

Ne do të vazhdojmë me punën tonë, ndërsa për shpifësit veçse i kemi filluar procedurat për padi në Gjykatë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme