Reagon Komuna e Prishtinës ndaj OJQ “AVONET”: Pronar është një person tjetër e jo siç pretendohet

Prishtinë | 16 Mar 2023 | 10:35 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Prishtinës ka reaguar nga OJQ “AVONET”, e cila përmes një komunikate për medie thuhet se e para ka dhënë “Tender 8.4 milionësh të dënuarit për mashtrim”. Sipas tyre, në bazë të kërkesës së dëshmisë pronari dhe përfaqësuesi i saj nuk kanë qenë të dënuar për vepër penale në të paktën dhjetë (10) vitet e fundit.

Rrjedhimisht, “Sallahu” Sh.P.K. fillimisht përmes certifikatës së biznesit dhe dokumenteve tjera nga ARBK ka dëshmuar se pronar dhe përfaqësues i saj është personi me inicialet “L.S.” (dhe jo personi me inicialet N.S. siç pretendohet nga OJQ “Avonet”).

Komunikata e plotë:

Me datë 15.07.2022 Komuna e Prishtinës ka publikuar njoftimin për kontratë lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull “Ndërtimi i rrugës A – pjesa e parë”. Ky aktivitet i prokurimit është zhvilluar si procedurë e kufizuar në dy faza. Nga të dy komisionet e vlerësimit lidhur me të dy fazat e procedurës, është gjetur se ofertuesi i përgjegjshëm me çmimin më të lirë është operatori ekonomik “Sallahu” Sh.P.K. (ky fakt nuk kontestohet as nga OJQ “Avonet”). Për këtë arsye Komuna e Prishtinës si autoritet kontraktues ka kërkuar nga operatori ekonomik që në përputhje me nenin 65 të Ligjit në fuqi për Prokurimin Publik, të dorëzoj dëshminë nga gjykata kompetente se pronari dhe përfaqësuesi i saj nuk kanë qenë të dënuar për vepër penale në të paktën dhjetë (10) vitet e fundit.

Rrjedhimisht “Sallahu” Sh.P.K. fillimisht përmes çertifikatës së biznesit dhe dokumenteve tjera nga ARBK ka dëshmuar se pronar dhe përfaqësues i saj është personi me inicialet “L.S.” (dhe jo personi me inicialet N.S. siç pretendohet nga OJQ “Avonet”). Më tutje “Sallahu” Sh.P.K. ka dorëzuar çertifikatën e nënshkruar dhe vulosur nga gjykata kompetente përmes Këshillit Gjyqësor të Kosovës përmes të cilës ka dëshmuar se pronari dhe përfaqësuesi i saj sipas ligjit asnjëherë nuk ka qenë i dënuar për vepër penale dhe ndaj tij nuk është duke u zhvilluar procedurë penale. Rrjedhimisht, me datë 24.02.2023 është publikuar njoftimi për vendimin e autoritetit kontraktues me të cilin “Sallahu” Sh.P.K. është shpallur si tenderues i suksesshëm. Për këto arsye konstatimi nga OJQ “Avonet” se lidhur me një tender është shpallur fitues një person i dënuar për mashtrim është konstatim tërësisht i pavërtetë dhe i pasaktë.

Komuna e Prishtinës siguron të gjithë operatorët ekonomik dhe publikun në përgjithësi se të gjitha veprimet që janë ndërmarrë në këtë aktivitet të prokurimit dhe në aktivitetet tjera tenderuese janë në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi. Po ashtu, Komuna e Prishtinës konfirmon se vazhdon të mbetet plotësisht transparente me publikun pa përjashtim.

Të ngjashme