Rexhep Selimi sqaron komunikatat e UÇK-së në gjykimin e Limajt

Prishtinë | 15 Jan 2018 | 13:23 | Nga

Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, gjatë dëshmisë së tij në gjykimin e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Fatmir Limaj, i cili po akuzohet për krime lufte, tha se komunikata që merrte përgjegjësinë për vrasjen e dy civilëve, Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit, ka njollosur familjet dhe UÇK-në.

Ai tha se kjo komunikatë përmban shumë pasaktësi. Më e rëndësishmja, tha ai, është se në atë kohë nuk ka ekzistuar Drejtoria e Policisë Ushtarake. Selimi tha po ashtu se kjo komunikatë nuk është e vetmja.

“Këtë komunikatë e kontestoj sepse përmban pasaktësi esenciale. E para është që më datën kur është botuar komunikata nuk ka ekzistuar Drejtoria e Policisë Ushtarake, e dyta pasaktësi është numri katër (4) i komunikatës. Unë nuk e di se cila ka qenë komunikata me numër tre (3) apo pesë (5). Po ashtu pasaktësia tjetër është përmbajtja e tekstit”, theksoi ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Më tej, Rexhep Selimi, i ftuar në cilësinë e dëshmitarit nga Prokuroria Speciale e Kosovës, tha se nuk e di se kush e ka shkruar këtë komunikatë. “Por, jam unë ai i cili e demantoj këtë komunikatë në emër të UÇK-së”, tha njëri prej komandantëve kryesor të UÇK-së.

“Drejtoria e Shërbimit e Policisë Sekrete që shkruhet në komunikatë them se as nuk ka pasur Drejtori të Shërbimit e as Polici Sekrete, prandaj kjo është një pasaktësi tjetër që e demanton këtë komunikatë”, shtoi ai.

Sipas Rexhep Selimit, kjo nuk është komunikata e vetme e cila kontestohet. “Mund të ju sjell edhe dy komunikata të tjera që kanë pasaktësi. Madje, në vitet e mëhershme të organizimit të UÇK-së ka pasur komunikata të cilat i ka demantuar vet Shtabi i Përgjithshëm. Dua të them se kjo nuk është komunikata e parë me pasaktësi”, shtoi ai.

Lidhur me viktimat Ramiz Hoxha e Selman Binishi, dëshmitari Selimi tha se nuk i konsideron dhe nuk kanë qenë ashtu siç përshkruhen në komunikatë. “Këtë e them nga pozicioni i tanishëm sepse më herët nuk kam pasur njohuri”, shtoi ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme