Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka deklaruar se nuk do ta lejojnë testimin e mësimdhënësve.
Në një deklarim për Ekonomia Online, Jasharaj tha se nuk duhet nënçmuar studimet që mësimdhënësit kanë bërë ndër vite dhe që janë testuar vazhdimisht. Ndërsa shtoi se pajtohen që të ketë më shumë inspektorë të arsimit.
“Nuk mendohet as në MAShT, e askund që të ketë eventualisht ndonjë test me shkrim të njohurive të mësimdhënësve, as s’ka ndodhë e as kurrë nuk do të ndodhë. Nuk do ta lejojmë kurrë sepse është nënçmim për punën, për studimet që këta njerëz kanë bërë në fakultete dhe janë vlerësuar e testuar dhjetëra herë, por po insistojnë bashkë me MAShTI-n”, u shpreh Jasharaj.
“Uroj që edhe ata ta kenë këtë mendim të shtohet numri i inspektorëve profesionalë, të cilët do të vizitonin shkollë më shkollë, do të shihnin si punojnë mësimdhënësit, do të shihnin cilat janë pjesët pozitive por edhe cilat janë lëshimet gjatë procesit mësimor”, tha Jasharaj për EO.
Jasharaj ka pasur kritika edhe për shkak të kushteve të punës. Thotë se mësimdhënësit ende punojnë me shkumësa e shpuza.
Ai kritikon partitë politike për të cilat thotë se “kur ulen në kolltukun e Qeverisë nuk e kanë prioritet arsimin”.
“Shteti ynë përveç asaj pjesës me ligje, sepse lehtë është të vihen në letër idetë edhe më të mirat në botë, por partitë cilado qoftë edhe kjo tani në fushata zgjedhore thonë se e kanë prioritet arsimin dhe kur ulen në kolltuk shihet se nuk e kanë fare në prioritete”.
“E kam thënë disa herë dhe po e them prapë, nuk mund të zhvillohet një betejë, plotësisht e suksesshme në shekullin 21 me përparime marramendëse të teknologjisë kur pjesa më e madhe e shkollave, vërtetë punon me shkumësa e shpuza, me libra që nuk korrespondojnë me kurrikulën, me një kurrikulë që mësimdhënsve ua ka sjellë dikush tjetër dhe shpesh ajo kurrikulë nuk përshtatet me rrethanat e kohës sonë”, tha Jasharaj për EO.
Ndërkaq, Rinor Qehaja nga Insituti EdGuard, ka thënë për Ekonomia Online, se Sindikata e Arsimit nuk ka asnjë arsye të jetë kundër vlerësimit të mësimdhënësve.
Ai kërkon që SBAShK-u të mos e marr këtë si ndëshkim, por si përkrahje.
“Unë vlerësoj që SBASHK-u nuk ka ndonjë arsye kundër vlerësimit të mësimdhënësve, neve kemi një legjislacion që e parasheh vlerësimin e mësimdhënësve në periudha të caktuara. Ajo çka SBASHK-u gjykoi është në kundërshtim, është kundër testimit të mësimdhënësve e që kjo asnjëherë nuk është prezantuar nga askush. Pra, debati jonë i përbashkët i të gjithëve dhe përkushtimi i përbashkët duhet të jetë se si të rishikojmë legjislacionin aktual të vlerësimit të përformancës, ta bëjmë atë më kredibil që të na sjellë rezultate të vlerësimit të besueshme dhe valide për çdo mësimdhënës dhe assesi ky proces të mos perceptohet si ndëshkues, por përkundrazi si përkrahës për mësimdhënësit tanë”, tha Qehaja për EO.
Njohësi i arsimit po ashtu tha se Kosova ka ligje të mira, por sipas tij mungon llogaridhënia dhe përgjegjësia për zbatimin e tyre.
“Kosova nuk mungon në ligje të këqija, nuk mungon në dokumente strategjike të këqija, por Kosova mungon në llogaridhënie dhe përgjegjësi për zbatim të këtyre ligjeve. Pra, individët, institucionet përgjegjëse për zbatimin e këtyre legjislacioneve duhet të thirren në përgjegjësi për zbatimin dhe mos zbatimin e tyre”, tha Qehaja.