Sot rinis dialogu në Bruksel, diskutohet për zbatimin e marrëveshjeve

Prishtinë | 26 Shk 2018 | 08:31 | Nga

Sot pritet të fillojë dialogu ndërmjet ekipeve negociatore të Kosovës dhe Serbisë.

Delegacionet në nivel të ekspertëve të Prishtinës dhe Beogradit nga kryenegociatori i Kosovës, Avni Arifi dhe nga drejtori i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, sot do t’i rinisin bisedimet në Bruksel, të cilat ishin anuluar më 16 janar për shkak të vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq në Mitrovicë të Veriut.

Në këtë rund të dialogut pritet të diskutohet kryesisht për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Kështu ka bërë të ditur për gazetën “Zëri” shefi i ekipit teknik të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Avni Arifi. Sipas tij, në këtë fazë po synohet përmbyllja e dialogut dhe arritja e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë.

“Në këtë takim do të bisedohet për implementimin e marrëveshjeve të realizuara. Synojmë përmbylljen e dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare”, ka thënë Arifi.

Ai ka thënë se në Bruksel nuk do të bisedohet për marrëveshje të reja, por vetëm për ato që tashmë janë arritur, ku njëra ndër temat për diskutim me Serbinë është edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, për të cilën tha se mund të bëhet një draft i ri.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme