E konfirmon vetë Hysaj: Do të largohem nga Napoli

Prishtinë | 31 Maj 2019 | 09:11 | Nga Ekonomia Online

Pas shumë spekulimeve për të ardhmen e mbrojtësit shqiptar, Elseid Hysajt, është vetë futbollisti ai që e ka konfirmuar se do të largohet nga Napoli gjatë afatit kalimtar të verës.

Para katër vjetëve, më 2 gusht të vitit 2015, Elseid Hysaj u transferua nga Empoli në Napoli për pesë milionë euro. Gjatë sezoneve të tij të para aty, ai e ka pasur rregullisht një vend në formacionin e parë.

Pjesa më e mirë e karrierës së tij ka qenë në dy sezonet paraprake, kur Maurizio Sarri ishte trajner i Napolit. Hysaj, bashkë me skuadrën e tij, u shpall nënkampion i Serisë A për dy sezone radhazi.

Megjithatë, këto suksese të Sarrit bënë që ai të kërkohet nga Chelsea, ku shkoi verën e kaluar. Në vend të Sarrit erdhi Carlo Ancelotti, i cili nuk i ka besuar 25-vjeçarit Hysajt aq sa trajneri paraprak.

“Ancelotti është shumë i mirë dhe është një nga ata që rrinë në zemër. Ka lojën e vet dhe ndoshta nuk përshtatem shumë aty. Nëse nuk shkojnë gjërat mirë do të shihet dhe do të vendoset se çfarë do të bëhet”, ka thënë Hysaj për Supersport.

“Janë shumë skuadra dhe po lexoj si ju. Po pres skuadrën e duhur dhe momentin e duhur. Po mendoj për Kombëtaren. Jam gati për aventurë të re dhe nuk dua të qëndroj gjithmonë te një skuadër. Dua një shtet të ri dhe njerëz të rinj. Koha ime te Napoli ka mbaruar”.

“Ai [Sarri] është si babai im dhe e urova pasi e meriton të fitojë diçka në futboll dhe ka nisur nga zeroja e ka arritur në finale, por nuk ka fituar. Nuk e di a shkon te Juventusi dhe nëse ka oferta, e di që ka ambicie të lartë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme