Ekonomia Online
FUNDIT

Anketa me tatimpagues 2026: 72,4% e tatimpaguesve shprehin besim të lartë në ATK

Anketa me tatimpagues 2026: 72,4% e tatimpaguesve shprehin besim të lartë në ATK

Administrata Tatimore e Kosovës ka prezantuar sot rezultatet e Anketës me Tatimpagues 2026, e cila pasqyron perceptimet, përvojat dhe vlerësimet e tatimpaguesve lidhur me punën dhe shërbimet e institucionit.

Me këtë rast, Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së Mentor Hyseni, theksoi rëndësinë që kanë mendimet dhe perceptimet e tatimpaguesve për punën e institucionit.

“Mendimi dhe perceptimi i tatimpaguesve për punën e Administratës Tatimore të Kosovës kanë një rëndësi të veçantë për ne. Në fund të fundit, vlerësimi më i drejtpërdrejtë i punës sonë vjen pikërisht nga ata me të cilët kemi komunikim dhe bashkëpunim të përditshëm-bizneset dhe tatimpaguesit. Për ne është e rëndësishme të dimë se si vlerësohen shërbimet tona, sa të qasshme dhe efikase janë ato, sa besim kanë tatimpaguesit në institucionin e ATK-së, si e perceptojnë profesionalizmin e stafit dhe, mbi të gjitha, çfarë presin në të ardhmen, ka thënë ai.

Anketa është realizuar nga kompania IDRA, me mbështetjen e GIZ-it, ndërsa rezultatet janë prezantuar nga Nora Isufi, drejtoreshë e kësaj kompanie. Në anketë kanë marrë pjesë gjithsej 1,227 respondentë, prej të cilëve 925 biznese, 150 organizata joqeveritare (OJQ) dhe 152 biznese individuale. Një ndër gjetjet kryesore është niveli i besimit ndaj ATK-së, ku 72,4% e të anketuarve deklarojnë se kanë shumë ose plotësisht besim në institucion, ndërsa vetëm 5,4% shprehen se kanë pak ose aspak besim. Sa i përket përmbushjes së obligimeve tatimore, 61,4% e respondentëve e konsiderojnë këtë proces të lehtë ose shumë të lehtë, ndërsa 15,0% të vështirë ose shumë të vështirë. Po ashtu, 73,8% e konsiderojnë barrën tatimore të lehtë ose shumë të lehtë, ndërsa vetëm 2,8% e vlerësojnë si të rëndë.

Në vlerësimin e mekanizmit të ankesave, 63,2% e respondentëve kanë dhënë vlerësime pozitive për objektivitetin e tij, ndërsa 24,0% janë përgjigjur se nuk e dinë. Sa i përket perceptimit për shtrirjen e korrupsionit, 52,0% deklarojnë se ai nuk është aspak i pranishëm, ndërsa 10,6% e vlerësojnë praninë e tij si të lartë ose jashtëzakonisht të lartë.

Rezultate pozitive janë evidentuar edhe në vlerësimin e shërbimeve elektronike të ATK-së, ku 84,0% e respondentëve i konsiderojnë ato të lehta ose shumë të lehta për përdorim, ndërsa rreth 3,2% i vlerësojnë si të vështira. Ndërkaq, për efektivitetin e ATK-së në luftimin e informalitetit, 70,8% e të anketuarve e vlerësojnë institucionin si efektiv ose shumë efektiv, ndërsa 10,9% nuk kanë shprehur ndonjë mendim.

Rezultatet e Anketës me Tatimpagues 2026 përbëjnë një bazë të rëndësishme për identifikimin e fushave ku nevojiten përmirësime dhe për orientimin e prioriteteve të ATK-së drejt rritjes së transparencës, forcimit të besimit dhe përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimeve për tatimpaguesit.

Të ngjashme