Një basketbollist amerikan 28-vjeçar është arrestuar në aeroportin kryesor të Lagos në Nigeri, pasi në valixhe iu gjetën gati 34 kg kanabis.
Arrestohet basketbollisti, kapet me 34 kilogramë narkotikë

Agjencia Kombëtare për Zbatimin e Ligjit kundër Drogave në Nigeri (NDLEA) e ka identifikuar të dyshuarin si Greene Da'monte Khiree, nga shteti amerikan i Xhorxhias.
Ai kishte arritur në Nigeri nga Tajlanda, përmes Emirateve të Bashkuara Arabe.
Basketbollisti kishte deklaruar se kishte luajtur profesionalisht në Tajlandë dhe se kishte udhëtuar drejt Nigerisë për të krijuar kontakte të reja për karrierën e tij.
NDLEA bëri të ditur se arrestimi ndodhi të mërkurën, pasi zyrtarët e aeroportit vunë re se ai kishte braktisur dy valixhet e regjistruara në emrin e tij dhe po tentonte të largohej vetëm me bagazhin e dorës.
Gjatë kontrollit, në dy valixhet u gjetën 32 pako me një lloj të fuqishëm kanabisi, të njohur si “Loud”.
Në to u zbulua edhe një pajisje gjurmuese.
Agjencia tha se kontrollimi i telefonit të të dyshuarit kishte nxjerrë në pah prova që, sipas saj, tregonin se ai kishte dijeni dhe ishte i përfshirë në aktivitetin e trafikimit të drogës.
Ndërkaq, Federata Ndërkombëtare e Basketbollit (FIBA) ka të regjistruar një lojtar me emrin Damonte Greene, paraqitja e fundit e të cilit figuron në turneun Phuket Elite Cup në Tajlandë, më 26 shtator.
















