Stomatologët kërkojnë respektimin e rrezikshmërisë në punë

Prishtinë | 24 Jan 2020 | 10:02 | Nga Ekonomia Online

Oda e Stomatologëve të Kosovës, përmes një njoftimi për media, kanë bërë të ditur kërkojnë zbatimin e ligjit për respektimin e rrezikshmërisë në punë. Sipas këtij njoftimi, duke zbatuar përgjegjësitë që i takojnë për mbrojtjen e interesave të stomatologëve, Oda e Stomatologëve kërkon zbatimin e plotë të ligjit të punës.

Me këtë rast, OSK kërkon respektimin e Kontratës Kolektive që përcakton saktësisht deri në 30 orë punë brenda javës dhe 30 ditë pushim vjetor. OSK kërkon, ashtu sic ështe e cekur në Kontratën Kolektive Sektoriale, Ligjin për sigurinë dhe shëndetin në punë si dhe Udhëzimi Administrativ, të respektohet edhe rrezikshmëria në punë e stomatologëve.

Sipas OSK-së, mosrespektimi i këtyre dispozitave ligjore dhe mosplotësimi i kushteve të punës është ndër shkaktarët kryesor, i cili po ndikon në migrimin e profesionistëve shëndetësorë jashtë Republikës së Kosovës.

“Oda e Stomatologëve të Kosovës kërkon nga institucionet shëndetësore, institucionet kompetente të nivelit qendrorë dhe atij lokal, që të trajtojnë me seriozitet më të madh kërkesat e komunitetit të stomatologëve për plotësimin e këtyre kushteve”.

“Oda e Stomatologëve të Kosovës do të përdorë të gjitha mjetet institucionale për të bashkëpunuar me akterë të tjerë shtetërorë deri në plotësimin e kërkesave për përmirësimin e kushteve të punës sipas legjislacionit”, thuhet në përfundim të njoftimit të OSK-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme