Streha e Kurtit si shpëtim

Prishtinë | 19 Qer 2026 | 17:48 | Nga Imer Mushkolaj

Afrimi i mundshëm i LDK’së me VV’në nuk është thjesht çështje koalicioni. Është çështje identiteti. A është LDK ende një parti që definon veten nëpërmjet dallimit nga VV’ja, apo tashmë është në proces të rishpikjes së vetvetes në një terren ku dallimet ideologjike zbehen përballë nevojës për pushtet dhe stabilitet?

Në politikën kosovare, rrallë ndodh që kthesat të vijnë si reflektim i vonuar moral. Më shpesh, ato vijnë si reagim i ftohtë ndaj numrave, presionit të brendshëm dhe frikës nga llogaridhënia. Debati i fundit rreth gatishmërisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për një afrim apo madje koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje (VV) bie pikërisht në këtë kategori: një lëvizje që në sipërfaqe paraqitet si “pjekuri politike”, por që në thelb ngjan më shumë me vetëmbrojtje organizative.

Pyetja thelbësore nuk është nëse një koalicion i tillë është i mundur matematikisht. Në politikë, numrat gjithmonë mund të rreshtohen ndryshe. Pyetja është pse pikërisht tash dhe çfarë ka ndryshuar realisht në qëndrimet që për vite të tëra kanë qenë të betonizuara si “parimore”.

Për një kohë të gjatë, VV është përkufizuar nga LDK si një subjekt i rrezikshëm për shtetin, për rendin institucional dhe për orientimin politik të Kosovës. Diskursi ka qenë i ashpër, shpesh kategorik, duke e vendosur VV’në në anën tjetër të një vije ndarëse që nuk ishte thjesht politike, por edhe ideologjike. Në atë narrativë, bashkëpunimi me VV’në nuk ishte opsion, por devijim.

Por, papritur, diskursi zbutet. Fjalori ndryshon. Dritaret e “dialogut” hapen. Në deklarata shfaqet një gatishmëri për “bashkëpunim në interes të vendit”. Në sipërfaqe, kjo mund të lexohet si maturim politik. Por në politikën kosovare, rrallëherë ndryshimet e mëdha të tonit ndodhin pa trysni të madhe të brendshme.

Këtu hyn dimensioni tjetër: krizat e brendshme në LDK dhe pozita e lidershipit aktual të saj, përfshirë figurën e Lumir Abdixhikut. Pas rezultateve zgjedhore të 7 qershorit, të cilat janë lexuar brenda partisë si zhgënjyese, debati i brendshëm nuk është më vetëm kritikë rutinë, por një pyetje mbi drejtimin dhe përgjegjësinë. Dhe pikërisht në këto momente, historia politike në Kosovë na mëson se fillon kërkimi për “rrugë daljeje”.

Një koalicion potencial me Albin Kurtin dhe VV’në mund të shihet si një mekanizëm për të rikonfiguruar përgjegjësinë politike. Në vend të përballjes së plotë me pasojat e humbjes, hapet një horizont i ri politik, ku vëmendja zhvendoset nga dështimi elektoral te “stabiliteti institucional” dhe “bashkëpunimi shtetëror”.

Por, ky transformim i narrativës nuk shpjegohet vetëm me taktika të jashtme. Ai lidhet edhe me dinamikën e brendshme të LDK’së. Kur kritikat ndaj lidershipit rriten, sidomos nga figura të rëndësishme të partisë dhe nga elektorati tradicional, rritet edhe nevoja për ripozicionim. Dhe shpesh, ripozicionimi nuk bëhet nëpërmjet reformës së thellë, por një gjesti të madh politik që e ndryshon temën.

* * *

Në këtë kuptim, pyetja “pse tash?” bëhet më e rëndësishme se “pse fare?”. Sepse nëse VV ka qenë për vite me radhë “rrezik për shtetin”, çfarë ndryshoi në mënyrë substanciale që e shndërroi atë nga rrezik, në partner potencial? A ndryshoi VV’ja në thelb, apo ndryshoi nevoja e LDK’së për një narrativë të re politike?

Ka edhe një dimension tjetër më të thellë: lodhja politike. Pas shumë ciklesh zgjedhore dhe krizash të vazhdueshme, partitë tradicionale shpesh kalojnë në fazën ku ideologjia fillon të zëvendësohet nga pragmatizmi i pastër. Vijat e kuqe nuk zhduken sepse u reflektua mbi to, por sepse u konsumuan politikisht.

Por, këtu lind paradoksi: sa më shumë që një parti e justifikon një kthesë të madhe si “pragmatike”, aq më shumë ajo rrezikon të humbasë besueshmërinë e vet si subjekt me identitet të qartë. Sepse votuesi nuk harron lehtë deklaratat e djeshme. Në kujtesën politike mbeten jo vetëm veprimet, por edhe tonet, akuzat dhe dramatizimet.

Prandaj, afrimi i mundshëm me VV’në nuk është thjesht çështje koalicioni. Është çështje identiteti. A është LDK ende një parti që definon veten nëpërmjet dallimit nga VV’ja, apo tashmë është në proces të rishpikjes së vetvetes në një terren ku dallimet ideologjike zbehen përballë nevojës për pushtet dhe stabilitet?

Në këtë pikë, edhe vetë narrativa e “shpëtimit të shtetit” shpesh përdoret si kornizë legjitimimi. Por, politika është e pamëshirshme ndaj justifikimeve që duken të vonuara. Nëse një qëndrim ka qenë i fortë për vite, ndryshimi i tij brenda pak ditësh ose javësh kërkon shpjegim më të thellë se sa thjesht “rrethanat e reja”.

Sepse në fund, pyetja nuk është vetëm si shkohet “në shtrat” me Kurtin, por çfarë do të thotë ky afrim për vetë strukturën e LDK’së. A është ky një fillim i një epoke të re politike, apo një manovër e përkohshme për të menaxhuar një krizë të brendshme?

Nëse është e para, atëherë duhet të ketë një debat të hapur ideologjik, jo vetëm negociata prapa dyerve të mbyllura. Nëse është e dyta, atëherë kemi të bëjmë me një cikël të njohur kosovar: humbje, tension i brendshëm, ripozicionim i shpejtë dhe rikthim në lojën e pushtetit pa një reflektim të thellë mbi arsyet e humbjes.

Në secilin rast, ajo që mbetet e qartë është se publiku nuk është më vetëm spektator pasiv. Votuesi i sotëm i lexon këto kthesa, i lidh me interesat e brendshme të partive dhe i vlerëson jo vetëm për rezultatin, por për koherencën. Por, koherenca në politikë është bërë luks.

LDK ndodhet përballë një momenti ku çdo lëvizje nuk është thjesht strategjike, por edhe identitare. Nëse ky moment përdoret vetëm për akomodim të brendshëm të lidershipit dhe jo për ripërcaktim të sinqertë politik, atëherë “reflektimi” do të mbetet vetëm një fjalë e bukur për një nevojë të vjetër: mbijetesën politike.

Të ngjashme