Dhjetëra studentë të Universitetit të Prishtinës me moton “Mos na mbani peng” kanë organizuar një aksion para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar lëvizje të lirë për qytetarët e Kosovës në vendet e BE-së, raporton Ekonomia Online.
Ata kane bërë gati 120 zarfe me aplikacione për viza, duke ua adresuar deputetëve të Kuvendit. Por pasi që nuk u është lejuar hyrja, ata i kanë hedhur ato në mënyrë simbolike para hyrjes së Kuvendit.
Gjithashtu edhe një zarf u adresua për kryeministrin Isa Mustafa.
Zarfet përmbanin aplikacione për viza. Studentët thanë se duan që “deputetët ta shohin se si është të aplikosh nëpër ambasada”.
Pas këtij aksioni janë shtuar edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Foto: Ekonomia Online