Tre të vdekur në aksidentin në Mramor, 7 të lënduar po trajtohen në QKUK, ambasadorja Kiliç jashtë rrezikut

Prishtinë | 16 Nën 2018 | 23:09 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Tre persona kanë humbur jetën, ndërsa 7 të lënduar po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), në aksidentin që ka ndodhur sonte në rrugën Prishtinë-Gjilan.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, i cili ka folur për gazetarët pas vizitës në QKUK, ka konfirmuar se në aksident kanë qenë tri vetura me 10 persona.

Dy persona kanë vdekur në vendin e ngjarjes, një ka vdekur më vonë në QKUK në Prishtinë.

E lënduar është dhe ambasadorja e Turqisë, Kivilcim Kiliç, e cila ka marrë lëndime serioze, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

“Njeri pacient është në gjendje të vështirë. Mjekët po e bëjnë punën e tyre për t’ia shpëtuar jetën. Pacientët e tjerë kanë disa lëndime në gjoks”, tha ministri i MPB-së, i cili me profesion është mjek.

“Prej dhjetë personave të përfshirë në aksident, 7 kanë lëndime; kanë qenë tri automjete. Për më shumë do të njoftoheni nga prokurori i rastit që ka shkuar në vendin e ngjarjes”.

Ministri Mustafa u bëri thirrje vozitësve që të kenë kujdes të shtuar në këtë kohë kur fillojnë të përkeqësohen kushtet atmosferike si dhe respektimin e rregullave të qarkullimit në trafik.

“Aksidentet në përgjithësi e sidomos humbja e jetëve njerëzore në aksidente trafiku është shqetësuese dhe e dhimbshme jo vetëm për MPB-në por edhe për institucionet tjera dhe qytetarët e Republikës së Kosovës. Prandaj menjëherë kam kërkuar një mobilizim dhe qasje më gjithëpërfshirëse nga të gjithë aktorët që kanë rol dhe ndikim në përmirësimin e gjendjes së përgjithshme në këtë fushë”, tha Mustafa.

Myftiu Tërnava viziton ambasadoren Kiliç, thotë se ajo është mirë

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, ka vizituar ambasadoren turke, Kivilcim Kiliç, dhe të lënduarit e tjerë në aksidentin që ndodhi sot pasdite në rrugën Prishtinë – Gjilan.

Pas vizitës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), myftiu Tërnava shprehu ngushëllime për familjet e tre personave që humbën jetën në këtë aksident ku u përfshi dhe vetura BMW me të cilën po udhëtonte ambasadorja Kiliç.

“Më lejoni që së pari t’iu shpreh të gjithë atyre që humbën më të dashurit e tyre ngushëllimet e mia. Unë isha e pashë ambasadoren; gjendja e saj është e mirë”, tha Tërnava, raporton Ekonomia Online.

“Me sa e di unë në rastin fatal, i cili rezultoi me vdekje, nuk është përfshirë eskorta e ambasadores. Ambasadorja është e lënduar, por gjendja e saj është e mirë”, shtoi ai.

QKUK-në janë parë ta vizitojnë dhe kryeparlamentari Kadri Veseli, zv.kryeministri Enver Hoxhaj, ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani etj.

Të ngjashme