Ultimatum i AKSH-së kundër “tregtimit të territoreve”

Prishtinë | 13 Sht 2018 | 11:31 | Nga

Një grup i armatosur, që prezantohet si Armata Kombëtare Shqiptare (AKSH), përmes një videoje të vendosur në internetit kërkon nga Qeveria e Kosovës të mos bëjë “tregti” me territoret.

Në xhirim shihen pesë meshkuj të maskuar, të veshur me të zeza, me simbole shqiptare. Tre qëndrojnë me pushkë, i katërti mban flamurin, ndërsa i pesti shqipton tekstin në gjuhën shqipe. Videon e ka vënë në Twitter gazetari holandez Vincent Triest, i cili punon në Shqipëri dhe i cili tekstin e ka përkthyer në anglishte, transmeton Koha.net raportimin e mediave serbe.

“Kërkojmë nga politikanët të ndërpresin shitjen ose tregtimin e territoreve për interesa të tyre. Duhet t’i bëjmë [presion politik dhe ekonomik Greqisë që të tërheq Ligjin e luftës (me Shqipërinë). Duhet të dëbojmë drejtpërdrejt krerët e Kishës Ortodokse Shqiptare (grekë). Duhet drejtpërdrejt të ndalim bisedimet për tregtimin e territoreve të Mitrovicës veriore dhe Luginës së Preshevës”, ka thënë njëri nga anëtarët e armatosur dhe i maskuar.

Në disa postime të mëvonshme gazetari Trieste ka sqaruar se bëhet fjalë për një grup minor ekstremist të cilin shumica e popullit dhe e politikanëve nuk e marrin seriozisht, por megjithatë duhet të kihet parasysh se ai ekziston dhe se lehtësisht, me një trajnim të mirë e sigurim armësh, do të mund të shndërrohet në kërcënim serioz.

Ai vë re se ky është mesazhi i parë për shkëmbim territoresh si mundësi e zgjidhjes së çështjes së Kosovës, por mashkulli në këtë xhirim flet me theks të qartë në dialektin jugor të shqipes, ndërsa deri tash ekstremistët e AKSH-së kanë folur me theks kosovar, rikujtojnë mediat e Beogradit, përcjell Koha.net.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme