Vushtrria nderon veteranët e arsimit, mësues të dalluar e personalitete që ndihmuan organizimin e mësimit shqip gjatë okupimit

Vushtrri | 07 Mar 2023 | 12:27 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komuna e Vushtrrisë ka mbajtur akademi solemne, me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, ku u nderuan me mirënjohje të gjithë pronarët e shtëpive-shkolla, për kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë për organizimin e mësimit shqip gjatë kohës së okupimit serb, veteranë të arsimit, mësuesit e dalluar, si dhe post-mortum u nderuan me mirënjohje personalitete që i dhanë shumë arsimit shqip në Vushtrri, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, e quajti 7 Marsin si festë të shumëfishtë për kombin shqiptar.

Ai tha se me këtë rast, 7 Marsi shënon edhe themelimin e shtetit të Kosovës.

“Ka koinçiduar që 7 marsi të jetë festë e shumëfishtë për kombin shqiptar. E para se shënon hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë. Ndërkaq për ju veteranë të arsimit që jeni protagonistë të ngjarjeve të rëndësishme, të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, 7 marsi nuk shënon vetëm hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë, por shënon edhe themelimin e shtetit të Kosovës përmes rezistencës së madhe të viteve 90-ta, që punëtorët e arsimit duke mbajtur mësim e duke u përballur me një okupator të egër, i cili përpos që sulmoi dhe zhduki çdo gjë që ishte shqiptare, syrin e kishte tek mbyllja e shkollave shqipe”, tha Idrizi.

Ai falënderoi të gjithë mësimdhënësit që mbajtën arsimin gjallë, në kohë të vështira.  

“Gjithë kjo rezistencë e punëtorëve të arsimit, të cilët në kushte të vështira nën rrethanat e okupimit, nën tytat e pushkëve, së bashku me nxënësit i dolën zot arsimit dhe arritën që shkollat shqipe të mbijetojnë”, u shpreh Idrizi.

Idrizi tha se shumë familje, ishin të gatshëm të lëshonin shtëpitë e tyre për të mbajtur mësim.

“Sot ne zbuluam pllakat përkujtimore në këto shtëpi shkolla, duke shprehur falënderimet dhe mirënjohjet dhe duke iu përkujtuar gjeneratave të reja se kjo liri nuk ishte e rastësishme dhe kaloi nëpër vështirësi të jashtëzakonshme dhe pjesë e këtyre shtigjeve është edhe mbijetesa e arsimit shqip në Kosovë. U jemi mirënjohës dhe falënderues familjes së Zymer Hazirit, i cili i hapi dyert e shtëpisë e i cili me rezistencën e tij u rrah disa herë nga policia serbe, e nga plagët e secilit ndërroi jetë më vonë. U jemi falënderues familjes Mernica, të cilët i liruan katër shtëpi për shkolla, për të mbajtur gjallë arsimin shqip. U jemi falënderues Shaip Azemit, familjes Preteni, Halil Sylës, Riza Mulit, Sokol Sinanit e shumë të tjerëve”, tha Idrizi.  

Drejtori i Arsimit, Dardan Abazi, tha se mësimdhënësit janë shtylla kryesore e zhvillimit të brezit të ri.

“Sot jemi të bashkuar për të shënuar një prej datave më të rëndësishme në kalendarin tonë, Ditën e Mësuesit dhe Ditën e Shkollës. Në këtë ditë ne nderojmë punën dhe angazhimin e pafund për arsim dhe zhvillimin e brezave të rinj të mijëra mësimdhënësve dhe veprimtarëve tjerë të arsimit”.

“Mësuesit tanë janë shtylla kryesore e zhvillimit të brezave të rinj. Ata janë meritorë për kultivimin e një pune të përgjegjshme për krijimin e një fryme pozitive dhe për ndihmën në rritjen e kulturës dhe shkencës për të gjithë ne”, tha Abazi.

Në fund, për të pranishmit në Shtëpinë e Kulturës “Hasan Prishtina” u shfaq dhe një program artistik me këngë, recitime e valle.

Të ngjashme