Vushtrria plotësisht e meriton çmimin si qyteti më i pasur me trashëgimi kulturore e natyrore

Vushtrri | 04 Dhj 2022 | 17:19 | Nga Izet Miftari

Vushtrria plotësisht e ka merituar t’i ndahet çmimi i qytetit më të mirë në Kosovë me trashëgimi kulturore e natyrore

Siç njoftoi para dy ditëve kryetari i komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, në Sofje të Bullgarisë, Vushtrria ishte zgjedhur qyteti më i mirë i Kosovës në fushën e trashëgimisë kulturore dhe pasurive natyrore.

Si studiues i historisë, u ndjeva shumë mirë kur e kuptova këtë lajm. Si mos të merr çmim të tillë një qytet, që ka arritur nga antikiteti e deri më sot ta ruaj vazhdimësinë iliro-dardane dhe arbërore-shqiptare. Vushtrria, fatbardhësisht nuk e pati fatin e Ulpianës (i shkatërruar nga tërmeti i vitit 518, e që nuk arrit më kurrë të konsolidohet), Damastionit, Therandës etj., ngase arriti t’i mbijetoj rrebesheve të armiqve pushtues dhe fatkeqësive natyrore.

Viciana, Vicianumi, Viçitrina, Vilçitrina, Vuçitërna (formë sllave kryesisht nga shekulli XVIII) dhe Vushtrria, (nga gjysma e shekullit XIX si kundërpeshë e termit sllav, Vuçitërnë), ka histori qytetërimi e urbanizmi rreth 2000 vjet.

Kështu, Vushtrria ka traditë si në aspektin shpirtëror, të mikpritjes, po ashtu edhe në ndërtimin dhe ruajtjen e monumenteve kulturo-historike.

Prandaj, përkundër sfidave të rënda kohore, monumentet e qytetit të Vushtrrisë, arritën t’i rezistojnë dhëmbit të kohës dhe pushtuesve të ndryshëm.

Unë po listoj disa monumente të Vushtrrisë që janë nga koha romake e deri më sot.

1. Ura e Vjetër e Gurit, për të cilën po mundohen ta bëjë për vete si serbët ashtu edhe turqit! Por, si ka mundësi që mos të jetë e atyre që historikisht kanë qenë shumicë, e shqiptarëve. Prandaj, duhet të kemi kujdes në interpretim, sepse, me këtë qasje, mund të na paraqesin si popull pa trashëgimi kulturore, pa civilizim dhe pa qytetërim. Zbulimi i dy harqeve të reja më 2017, e ka hedhur poshtë teorinë serbe si kinse Ura me nëntë (9) harqe e të ashtuquajturve vëllezërve Vojnoviq, sepse tani ajo ka 11. Fuqishëm e mbroj qëndrimin se Ura e Gurit në Vushtrri ka vazhdimësi nga shekujt II-III e deri në fund të shekullit XVII, kur lumi Silnica ka devijuar rreth 500 metra nga ura, dhe sot e asaj dite ka mbetur pa lumë.

2. Kalaja e Vjetër – Prokopi i Cezares na njofton se perandori bizantinas me origjinë ilire, Justiniani I (shekulli VI), ka ndërtuar e rindërtuar dhjetëra kala e kështjella. Pra, kjo i takon gjithsesi, periudhës të paktën që nga shekulli i VI, sepse, krahas rindërtimin të Justiniana Sekunda në vendin e Ulpianës, gjithësisë se Justiniani ka rindërtuar edhe këtë kala – kështjellë (të Vushtrrisë) në këtë periudhë (shekulli VI).

3. Hamami-Banjoja Publike, objekt tipik oriental, i periudhës së hershme ormanë, gjysma e shekullit XV, por që disa e mbështesin tezën interesante, se ky objekt apo, në vendin ku është hamami, ka ekzistuar banjoja termike e periudhës romake, derisa Branisllav Nushiqi, më 1902, shkruajti se Hamami i Vushtrrisë thuhet se ka qenë kishë dubrovnikase!

4. Shtëpia e Mahmut Agë Gjinollit, që është një kombinim i arkitekturës osmane me atë perëndimor, ngase është ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit XIX, në të njëjtën kohë kur është ndërtuar edhe objekti i Muzeut të Kosovës në Prishtinë.

5. Çezma (çeshmja) te kalaja, e njohur edhe si çeshmja e Hajredin Pashës, e shekullit XVII. Çezmat janë kryesisht të periudhës osmane, ngase ata i kanë kushtuar rëndësi të veçantë ndërtimin të fontaneve (shadërvaneve), çezmave, sidomos afër objekteve fetare islame.
Vushtrria ka pasur edhe sahatkullën, e cili është rrënuar nga pushteti komunist më 1952.

Ka edhe dhjetëra monumente tjera kulturore, por unë u ndala në pesë, sa për ta thënë të vërtetën, se qyteti i ynë, qyteti i Hasan Prishtinës, Viciana e Vjetër e Vushtrria e re, e ka merituar plotësisht këtë çmim.

Të ngjashme