Yuri Kim: Rajoni të ndjekë shembullin e Shqipërisë kundër ndikimeve ruse

Prishtinë | 08 Mar 2023 | 17:04 | Nga Ekonomia Online

Në një kohë bota po haset me sfida të mëdha, e vetmja zgjidhje është bashkimi për luftimin e këtyre vështirësive dhe fuqizimin i rolit të grave.

Me fjalët e heroit tonë kombëtar, Skënderbeu “Bashkimi bën fuqinë”, ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim tha se kjo është e vetmja mënyrë që gratë, siguria dhe paqja në Europë të bëhet realitet ku “vendet e mëdha po tentojnë të vendosin për fatet e vendeve më të vogla”.

Kim shigjetoi Rusinë dhe luftën që ajo ka nisur për pushtimin e Ukrainë, duke thënë se “Moska po tenton të rishkruajë historinë duke thënë të kundërtën” dhe për të ambasadorja kërkon një reagim të përbashkët nga të gjithë që kjo të “mos ndodh”.

“Jemi para një sfide kritike në këtë moment kur shohim çfarë po ndodh në Evropë. Ka kaluar saktësisht një vit që nga sulmi i Rusisë në Ukrainë. Dhe le të mos bëjmë gabime, Ukraina nuk ka pushtuar Rusinë. Nuk e di nëse keni parë një video kohët e fundit, të Ministrit të Jashtëm rus Lavrov në Indi, e cila është përpjekur shumë të jetë e sjellshme ndaj Rusisë.

Por në çdo rast, Lavrov shkoi në Indi dhe po fliste në një panel, ku guxoi të thotë se Rusia ka luftuar për t’i bërë ballë pushtimit të Ukrainës në Rusi. Ai po përpiqet të rishkruajë historinë. Mendoj se njerëzit këtu në Shqipëri e dinë më mirë se çdokush ç’do të thotë të jesh nën një regjim ku udhëheqësit përpiqen të rishkruajnë historinë, ku ata thonë që e zeza është e bardhë dhe e bardha është e zeza.

Dhe, ju e dini, ata mendojnë se mund t’ju frikësojnë dhe t’ju bëjnë të ndryshoni faktet në mendjen tuaj. Kjo nuk është bota në të cilën dëshirojmë të jetojmë. Prandaj, përballë sfidave të sigurisë, cila është zgjidhja për ne, për Shtetet e Bashkuara? Është një parim i qartë që ne e respektojmë. Ne dëshirojmë të bashkohemi me vende të tjera që besojnë si ne – që ne dhe fëmijët tanë duhet të jetojmë në një botë që është e lirë, e hapur, e sigurt dhe e begatë”, tha Kim.

Duke vlerësuar rolin e Shqipërisë, Kim tha se “vende të tjera në rajon duhet të ndjekin shembullin e saj, i cili është i qartë për të refuzuar përpjekjet ruse për të infiltruar në politikën e brendshme”.

Ambasadorja vlerësoi edhe partneritetin me Shqipërinë, duke thënë se “nuk ka asnjë partner tjetër që do të preferonim të kishim në krah më shumë se Shqipërinë”.

“Ne jemi krenarë që ju kemi aleat në NATO. Ne jemi krenarë që ju shohim të përparoni drejt anëtarësimit tuaj në Bashkimin Evropian. Ne jemi krenarë që ulemi pranë jush në Këshillin e Sigurimit të OKB-së si anëtarë të këtij organi të rëndësishëm. Ne duam të qëndrojmë së bashku, kjo është me të vërtetë, për ne, një element kyç i mënyrës se si ne përballemi me sfidat, jo vetëm në Evropë, por në mbarë botën”, tha Kim.

Kim foli edhe për mbështetjen e procesit të Berlinit dhe nismën e Open Balkan.

“Ne jemi mbështetës të fortë të procesit të Berlinit, në kohën kur Procesi i Berlinit nuk po lëvizte ishim mbështetës të fortë të Open Balkan. Ne mendojmë se zhvillimet pozitive do të krijojnë më shumë prosperitet për rajonin e Ballkanit”, tha Kim.

Kjo deklaratë u bë e gjatë një konferencë të Yuri Kim me Komandanten e Gardës Kombëtare të Nju Xhersit Gjeneral brigade Lisa Hou dhe ministrin e mbrojtjes, Niko Peleshi, për fuqizimin e grave në kuadër të 8 Marsit, Ditës ndërkombëtare të Gruas.

Kim tha se gratë në të gjithë botën kanë një fuqi të madhe për të ndërtuar një botë ku secili prej nesh dëshiron të jetojë.

“Siguria në Evropë nuk është thjesht një çështje e grave. Ajo përfshin gratë. Por nuk është thjesht për gratë. Dhe po mendoja për këtë. Në ç’botë dëshirojmë të jetojmë? Në ç’botë dëshirojmë që fëmijët tanë të jetojnë?

Dëshirojmë të jetojmë në një botë ku vendet më të mëdha vendosin për ato më të voglat dhe në të cilën një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së shkel hapur normat e Kartës së OKB-së dhe pret të shpëtojë nga kjo? Dëshirojmë të jetojmë në një botë ku atë që ndodh brenda një vendi – një populli – liria e njerëzve të tij nuk mund të komentohet nga ne të tjerët?

Kjo nuk është bota ku unë dëshiroj të jetoj. Nuk mendoj se është bota ku ju dëshironi të jetoni. Nuk mendoj se është bota ku amerikanët dhe shqiptarët dëshirojnë të jetojnë”, tha Kim./RTSH

Të ngjashme