15 ditë paraburgim për sulm ndaj nuses së djalit

Prishtinë | 25 Kor 2019 | 09:02 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti i Përgjithshëm Penal, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit prej 15 ditësh ndaj të pandehurit N.J, për shkak se sulmoi dhe kërcënoi nusen e djalit.

“Me datë 22.07.2019, në shtëpinë e tij në Pejë, pasi që kërkon pasaportën dhe dokumentet e tjera personale dhe nuk i gjen, shkon te e dëmtuara – nusja e djalit të tij dhe e pyet “ku ma keni lënë pasaportën” në ndërkohë e merr një gotë dhe e thyen e pastaj merr thikën dhe ja afron të dëmtuarës te fyti dhe i drejtohet me fjalë kanosëse duke i thënë “unë të çkyej”, pas këtyre veprimeve e dëmtuara shkon në polici dhe e lajmëron rastin ndërsa, e njëjta është dërguar në tretman mjekësor për shkak të lëndimit në dorë”, thuhet në raportin e Gjykatës.

Gjykata thotë se me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale dhunë në familje.

“Të pandehurit N.J i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej pesëmbëdhjetë (15) ditë. Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit”, përfundon kumtesa.

Të ngjashme