15 të vdekur e 400 të zhdukur në Bangladesh

Prishtinë | 23 Mar 2021 | 11:49 | Nga Ekonomia Online

Së paku 15 persona kanë vdekur, ndërsa 400 të tjerë janë zhdukur nga një zjarr masiv që përfshiu një kamp të refugjatëve Rohingya në Bangladesh. Këto shifra i publikoi të martën Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara.

“Zjarri është masiv, është shkatërrues. Ende kemi 400 persona të zhdukur diku nën rrënoja”, deklaroi Johannes van der Klauuw nga UNHCR-ja, i cili mori pjesë në një konferencë në Gjenevë në mënyrë virtuale nga Daka e Bangladeshit.

Ai shtoi se UNHCR-ja ka raportime për 560 persona të lënduar nga zjarri dhe 45.000 të tjerë të zhvendosur, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Foto: Reuters

Populli Rohingya është grup etnik pa shtet të vetin, ka prejardhje indo-ariane dhe shumica e pjesëtarëve të këtij grupi i përkasin besimit islam. Më së shumti jetonin në Birmani, por gjatë krizës së vitit 2017, rreth 740 mijë pjesëtarë të grupit etnik ikën në Bangladesh për shkak të përndjekjes nga ushtria birmaneze.

Rohingya cilësohet si një nga pakicat më të përndjekura në botë. Atyre u është mohuar shtetësia birmaneze me një ligj të vitit 1982. Ata kanë kufizime edhe në lirinë e lëvizjes, shkollimin në sistemin publik arsimor dhe në vendet e punës në shërbimin civil.

Të ngjashme