Gërxhaliu: Prodhuesi dhe Eksportuesi Kosovar përballë Taksës së Karbonit – A do të jemi të përgatitur deri në janar 2026?

Prishtinë | 01 Kor 2025 | 08:11 | Nga Safet Gërxhaliu

Nga janari 2026, Bashkimi Evropian do të fillojë zbatimin e plotë të mekanizmit të ri të taksës së karbonit (Carbon Border Adjustment Mechanism – CBAM), duke imponuar tarifa të reja për produktet që importohen nga vende të treta – përfshirë Kosovën – nëse ato janë prodhuar duke përdorur energji që gjeneron emetime të larta të CO₂.

Taksa e karbonit që hyn në fuqi në janar të vitit 2026 pritet të jetë një ndër sfidat më të mëdha që ekonomia prodhuese dhe eksportuese e Kosovës ka hasur në dekadat e fundit. Nëse nuk ndërmerren masa të menjëhershme për përgatitjen e sektorëve të prekur, kjo taksë mund të na zërë tërësisht të papërgatitur – me pasoja të rënda për konkurrueshmërinë tonë në tregjet evropiane.

CBAM do të prekë fillimisht sektorë si: çeliku dhe hekuri, alumini, çimentoja, plehrat kimike, energjia elektrike dhe hidrogjeni. Këta sektorë përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të potencialit eksportues të Kosovës, veçanërisht në tregun e Bashkimit Evropian, që është destinacioni kryesor për eksportet tona.

Qëllimi i kësaj takse është të shmanget të ashtuquajturin “carbon leakage” – fenomeni kur kompanitë zhvendosin prodhimin në vende me standarde më të ulëta klimatike për të shmangur kufizimet dhe taksat e BE-së. Duke imponuar këtë taksë mbi produktet që vijnë nga vende jashtë BE-së, Komisioni Evropian kërkon të krijojë kushte të barabarta konkurrence për kompanitë evropiane që janë të detyruara të investojnë në teknologji të gjelbra dhe të paguajnë për emetimet e karbonit.

Një nga kushtet themelore për përjashtimin nga taksa ose për llogaritjen e drejtë të saj është që vendi eksportues të ketë një sistem të besueshëm monitorimi, raportimi dhe verifikimi të emetimeve të karbonit (MRV system). Aktualisht, Kosova nuk e ka një sistem të tillë të funksionalizuar sipas standardeve të BE-së.

Kjo do të thotë se eksportuesit tanë nuk do të jenë në gjendje të dëshmojnë nivelin real të emetimeve në produktet që eksportojnë, gjë që do të çojë automatikisht në aplikimin e normave më të larta të taksës, bazuar në vlerat standarde të BE-së – që zakonisht janë më të larta se ato reale.

Edhe pse CBAM është diskutuar prej vitesh në nivel evropian dhe është futur në fazë tranzicioni që nga tetori i vitit 2023, institucionet në Kosovë nuk kanë zhvilluar ende kampanja të gjera informuese, udhëzime teknike apo trajnime për bizneset. Përveç disa nismave të izoluara të odave ekonomike dhe organizatave ndërkombëtare, pjesa më e madhe e ndërmarrjeve kosovare janë të pa informuara për ndikimin e drejtpërdrejtë që kjo taksë do të ketë në koston dhe zinxhirin e tyre të eksportit.

Për më tepër, nuk ka një strategji kombëtare për dekarbonizimin e industrisë, për përshtatjen me direktivat e gjelbra të BE-së, apo për mbështetjen financiare të ndërmarrjeve për investime në teknologji më të pastra. As niveli qendror, as ai lokal, nuk ka ndërmarrë hapa për të përgatitur korniza ligjore dhe institucionale për zbatimin e sistemeve të matjes së karbonit.

Nëse Kosova nuk reagon shpejt, kjo taksë mund të kthehet në një mur të pakapërcyeshëm për shumë kompani, sidomos për ato të mesme dhe të vogla që nuk kanë kapitalin për të investuar në transformimin e proceseve të tyre prodhuese.

Kjo nuk është vetëm një çështje mjedisore – është çështje ekonomike dhe zhvillimore. Humbja e tregjeve në BE do të përkthehej në ulje të eksporteve, reduktim të prodhimit vendor, rritje të papunësisë dhe zvogëlim të të ardhurave shtetërore nga sektori prodhues.

Në një botë që po ecën drejt dekarbonizimit, vendet që nuk përshtaten do të paguajnë çmimin – jo vetëm financiarisht, por edhe me humbje të peshës së tyre në tregjet ndërkombëtare. Kosova ende ka kohë për të vepruar, por koha është e kufizuar.

Të mbështesim sektorin privat nga tani sepse nesër do të jetë vonë!

Të ngjashme