Tre hapa drejt normalitetit politik

Prishtinë | 01 Tet 2025 | 15:37 | Nga Blerim Shala

Lajmi më i mirë që shoqëroi kumtin e djeshëm (30 shtator) të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që sërish synon të qartësojë se çka duhet të ndodhë me legjislaturën (fatkeqe), të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, është që seanca e pafundme konstitutive e Kuvendit duhet të mbahet jo më larg se 12 ditë pas hyrjes në fuqi të Verdiktit Nr.3 të kësaj Gjykate.

Në këtë mënyrë, ky konstituimi me këste i kësaj legjislature, apo, thënë më mirë, përpjekja e re (dhe finale, me gjasë), për formalizimin e kësaj përbërjeje të parlamentit, nuk do të ndodhë para rrethit të parë të zgjedhjeve lokale, i cili do të mbahet me 12 tetor.

Kështu pra, politikanët dhe partitë kosovare, do të arrijnë atë që e kanë synuar kohëve të fundit: Që të gjithë energjinë e tyre politike ta harxhojnë në garën për pushtetit komunal, teksa pasi të hënën, me 13 tetor, të këndellen pas një nate të gjatë në pritje të rezultateve nga vendvotimet, ata do të mund t’i kthehen punës së pakryer të themelimit të Kuvendit të Kosovës.

Mbase, ky do të duhej të ishte një orar i mirë (nëse ka mbetur diçka të mirë ndër ne, në politikën tonë), për një trehapësh që do të mëtonte ta nisë rrugën e kthimit në një normalitet politik në Kosovë.

Së pari pra, me 12 tetor do të mbahej raundi i parë i zgjedhjeve lokale.

Së dyti, pak ditë më pas, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidheshin në përpjekjen e tyre të fundit për ta krijuar, formalisht, Kuvendin e kësaj legjislature. Kush nuk e di (së paku në rrethanat e tanishme), çka do të ndodhë nëse sërish nuk do t’i shkohet deri në fund kësaj ndërmarrjeje tej mase të ndërlikuar (e cila është fund e krye ‘Prodhim vendor’). Çfarë dihet është që zgjedhjet e reja parlamentare janë të pashmangshme. Prandaj, sa më herët që ato mbahen, aq më mirë do të jetë për të gjithë ne.

Së treti, me 9 nëntor do të organizohet raundi final në dyluftimin për kryetar të komunave, atje ku nuk është zgjedhur në atë ballafaqimin e parë.

Pra, nëse këtu do të mund të shprehet dëshira për kthimin mbarë të skenës politike të vendit, atëherë, një variant shumë i mirë do të ishte nëse në mes të dy rrathëve të zgjedhjeve lokale, do të ndodhte caktimi i datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, diku në fund të nëntorit apo fillim të dhjetorit.

Në teori së paku, nëse kësaj dëshire i shkohet deri në fund, në muajin shkurt të vitit të ardhshëm, do të mund të ndodhte konstituimi i Kuvendit të ri, zgjedhja e Qeverisë së re, dhe madje, do të mund të sigurohej ai Quorum-i (prej së paku 80 deputetësh), për zgjedhjen e Presidentit, detyrë kjo që duhet të përmbushet jo më larg se me 6 mars.

Në këtë variantin i cili nga pikëshikimi i sotëm mund të kualifikohet si ideal (madje), 7 marsi i vitit të ardhshëm, do ta gjente Kosovën me President, me Qeveri, me Kuvend dhe me pushtetin lokal në të gjitha komunat e vendit.

Edhe në këtë opsion, do të na duhen hiç më pak se 14 muaj që të kthehemi aty ku kemi qenë në dhjetorin e vitit të kaluar, sa i përket stabilitetit të institucioneve të Kosovës.

14 muaj janë shumë për një njeri dhe një familje, e lëre më për një shtet.

Shumëçka mund të ndodhë brenda kësaj periudhe kohore.

Por ja që sot nuk mund të gjenden dot garanci që rrjedha e njëmendtë politike në vend, do të jetë krejtësisht identike me këtë të shkruar më parë, dhe të përmbledhur si një dëshirë për një rrugëtim të mbarë tash e tutje.

Në anën tjetër, megjithatë, çdo trajtim serioz dhe i ndershëm i kësaj situate të rëndë politike që mbretëron ndër ne, nuk ka si mos të shpie në konkludim që alternativë për këtë rrjedhë të logjikshme politike nuk ka. Në të kundërtën, do t’i harrojmë këta muaj të telasheve dhe të vendnumërimit politik.

Të ngjashme