Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, tha se po presin që Vetëvendosje të marrë përgjegjësinë e formimit të Qeverisë si fituese e zgjedhjeve, por nëse dështon, PDK është e gatshme të veprojë.
“Jemi duke pritur që partia e cila ka marrë më së shumti ulëse në Parlamentin e Kosovës, dhe meqenëse tanimë zyrtarisht është mandatur deputeti Albin Kurti, si mandatar për formimn e qeverisë, jemi duke pritur që ata të krijojnë shumicën parlamentare dhe të kenë qeveri, dhe nëse jo normalisht që PDK pastaj do të marrë iniciativën të krijojë shumicën dhe të krijojë qeverinë.”, ka thënë Qalaj për IndeksOnline.
Ai theksoi se PDK nuk është e interesuar për asnjë bashkëqeverisje me Vetëvendosjen, duke përjashtuar mundësinë e një koalicioni të përbashkët.
“Nuk kemi asnjë interes të shkojmë në bashkëqeverisje me LVV-në e Albin Kurtit. Në asnjë variant nuk do të jem pjesë e një qeverie apo ministrie ku udhëheq LVV,” theksoi ai.
“PDK ka numrin e dytë më të madhë në parlamenitn e Kosovës, si e tillë do të bëjë përpjekje për formimin e qeverisë.”, ka vlerësuar tutje Qalaj.
Sipas Kushtetutës, nëse kandidati i parë për kryeministër nuk merr votat e mjaftueshme, presidentja e vendit ka 10 ditë për të mandatuar një kandidat tjetër. E nëse dështon edhe tentimi i dytë, vendi shkon në zgjedhje të reja, që duhet të mbahen brenda 40 ditësh nga shpallja.
Përballë këtij afati kushtetues, mbetet të shihet nëse Kurti do të arrijë të sigurojë koalicionin e nevojshëm, apo nëse PDK do ta marrë nismën për krijimin e një qeverie të re pa Vetëvendosjen.