Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, ka pritur në takim oficeren koordinuese të Doganës Britanike, Jane Donald, me të cilën diskutoi për avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe forcimin e kapaciteteve doganore.
Takimi u fokusua në thellimin e partneritetit ndërmjet institucioneve doganore të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, me theks të veçantë në shkëmbimin e përvojave profesionale, ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe zbatimin e praktikave moderne në fushën doganore.
Po ashtu, gjatë diskutimeve u trajtuan tema që lidhen me forcimin e kontrollit kufitar, menaxhimin e riskut, luftimin e kontrabandës, si dhe mbështetjen në proceset e modernizimit dhe digjitalizimit të shërbimeve doganore.
Të dyja palët vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe shprehën gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të partneritetit në fusha me interes të përbashkët, me synim rritjen e sigurisë kufitare, efikasitetit operacional dhe avancimin e standardeve profesionale.
Dogana vlerësoi lartë mbështetjen e partnerëve britanikë, duke theksuar se bashkëpunimi profesional po kontribuon drejtpërdrejt në zhvillimin institucional dhe forcimin e kapaciteteve operacionale sipas standardeve ndërkombëtare.