Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, zhvilloi këto ditë vizitën e saj të parë në Kosovë që nga marrja e kësaj detyre.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Kos u takua me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Të dyve u kërkoi stabilitet institucional.
Pas takimit me Kurtin, Kos tha se viti 2026 mund të jetë një moment i mundësive evropiane për Kosovën.
“Ishte kënaqësi të jem sot në Prishtinë dhe të takohem me kryeministrin në detyrë Albin Kurti. Faleminderit për mikpritjen e ngrohtë. 88% e qytetarëve të Kosovës besojnë në perspektivën evropiane të vendit. Ne jemi të gatshëm t’i përgjigjemi thirrjes së tyre për të intensifikuar nivelin e punës në çështjet ekonomike, në përparimin demokratik dhe në reforma. Viti 2026 mund të jetë një moment i mundësive evropiane për Kosovën. Kjo kërkon që forcat politike të bashkohen dhe të gjejnë stabilitet institucional afatgjatë”,ka shkruar ajo.