MBPZHR reagon ndaj kërkesës së Vitës: Raporti përfundimtar i analizave do të publikohet jo më vonë se 27 korriku

Prishtinë | 16 Kor 2026 | 15:43 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) ka reaguar ndaj deklaratës së operatorit ekonomik VITA, i cili kishte kërkuar publikimin e rezultateve të analizave, duke sqaruar se nuk ka dhënë asnjë zotim për publikimin e tyre më 13 korrik dhe se procedurat zyrtare janë ende në zhvillim.

Përmes një reagimi të publikuar në Facebook, ministria thekson se pretendimi për shkeljen e një afati të premtuar nuk qëndron.

“Së pari, Ministria nuk ka bërë asnjë zotim publik apo zyrtar se rezultatet e analizave do të publikoheshin më 13 korrik 2026. Për këtë arsye, pretendimi se është shkelur një afat i premtuar nuk qëndron”, thuhet në reagim.

MBPZHR sqaron se kontrollet zyrtare të kryera nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë zhvillohen në përputhje me Ligjin për Ushqimin dhe legjislacionin në fuqi, ndërsa rezultatet laboratorike përbëjnë vetëm një pjesë të procesit.

“Marrja e rezultateve laboratorike përbën vetëm një pjesë të procedurës së kontrollit zyrtar. Përpara nxjerrjes së përfundimeve duhet të përfundojnë edhe verifikimet administrative, teknike dhe ligjore, në mënyrë që raporti përfundimtar të jetë i plotë, i saktë dhe i mbështetur në prova”, thekson ministria.

Sipas saj, publikimi i rezultateve të pjesshme para përfundimit të procedurës do të ishte në kundërshtim me parimet e kontrollit zyrtar.

“Publikimi i rezultateve të pjesshme ose i analizave të veçuara para përfundimit të procedurës zyrtare do të ishte në kundërshtim me parimet e kontrollit zyrtar dhe do të mund të çonte në keqinterpretim të gjetjeve”, thuhet në reagim.

Ministria njofton se i ka kërkuar Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë që procedura të përfundojë sa më shpejt, duke respektuar kërkesat ligjore dhe standardet profesionale.

“Kryeshefi Ekzekutiv ka konfirmuar se raporti përfundimtar do të dorëzohet jo më vonë se data 27 korrik 2026 dhe, nëse të gjitha analizat dhe verifikimet përfundojnë më herët, raporti do të dorëzohet dhe publikohet edhe para këtij afati”, thuhet më tej.

MBPZHR thekson se nuk do të komentojë pretendimet e operatorëve ekonomikë derisa procedura zyrtare të përfundojë.

“Çdo operator ka të drejtë të paraqesë qëndrimet e veta, por vetëm raporti përfundimtar i kontrollit zyrtar, i hartuar nga autoriteti kompetent, përbën bazën ligjore për vlerësimin e përputhshmërisë së produkteve me kërkesat e legjislacionit”, thuhet në njoftim.

Ministria rithekson se prioritet mbetet mbrojtja e konsumatorëve dhe transparenca e procesit.

“Interesi ynë i vetëm është mbrojtja e shëndetit të konsumatorit, trajtimi i barabartë i të gjithë operatorëve ekonomikë dhe garantimi i integritetit të procesit të kontrollit zyrtar. Menjëherë pas përfundimit të procedurës, rezultatet dhe gjetjet përfundimtare do t’i bëhen publike në mënyrë transparente”, thotë reagimi i MBPZHR-së.

Të ngjashme