Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka bërë të ditur se ka pritur në takim Bujar Mulën, i cili këtë të shtunë do të tentojë të thyejë Rekordin Botëror Guinness, duke synuar të mbajë mbi trup një peshë prej mijëra kilogramësh.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Idrizi ka thënë se Mula ka dëshmuar më herët forcën dhe përkushtimin e tij, duke rikujtuar rekordin e arritur në vitin 2023.
“Sot pata kënaqësinë të pres në takim Bujar Mulin, i cili këtë të shtunë do të tentojë të thyejë Rekordin Botëror Guinness, duke synuar të mbajë mbi trupin e tij një peshë prej 2000 deri në 2500 kilogramë”, ka shkruar Idrizi.
Ai ka theksuar se në vitin 2023, Bujar Mula kishte arritur të vendoste rekord botëror duke mbajtur mbi trupin e tij 1531 kilogramë.
“Bujari e ka dëshmuar edhe më parë forcën dhe përkushtimin e tij. Në vitin 2023 ai theu Rekordin Botëror Guinness, duke mbajtur mbi trupin e tij 1531 kilogramë”, ka deklaruar Idrizi.
Kryetari i Vushtrrisë ka bërë të ditur se komuna do ta mbështesë këtë sfidë, duke i uruar sukses Mulës në tentimin për rekord të ri.
“Si Komunë e Vushtrrisë, i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë për këtë sfidë të jashtëzakonshme dhe besojmë se edhe këtë herë do të arrijë të triumfojë. Bujar, të uroj shumë suksese në këtë sfidë!”, ka shkruar Idrizi.