Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka reaguar lidhur me demonstratat që po zhvillohen në Prishtinë, duke u bërë thirrje qytetarëve të shmangin zonat ku ka protesta dhe tubime të mëdha.
Në reagimin e saj, Ambasada njofton se demonstratat po vazhdojnë në kryeqytet, ndërsa pjesëmarrësit janë mbledhur në Sheshin “Skënderbej” dhe në lokacione të tjera në qendër të qytetit.
“Demonstratat janë duke vazhduar në Prishtinë, me pjesëmarrësit që mblidhen shpesh në Sheshin ‘Skënderbej’ dhe në lokacione të tjera në qendër të qytetit”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Sipas Ambasadës amerikane, protesta të tjera mund të zhvillohen gjatë ditëve në vijim, përfshirë edhe në qytete të tjera të Kosovës.
“Tubimet e mëdha mund të përshkallëzohen shpejt dhe pa paralajmërim dhe mund të shkaktojnë mbyllje të rrugëve, devijime dhe pengesa të konsiderueshme në qarkullim”, thuhet më tej në reagim.
Ambasada u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe të shmangin zonat ku zhvillohen demonstrata.
“Ju lutemi shmangni zonat e demonstratave dhe tubimet e mëdha. Qëndroni vigjilentë, jini të vetëdijshëm për rrethinën tuaj dhe ndiqni mediat lokale dhe faqen e internetit të Ambasadës për përditësime”, thuhet në njoftim.