Kryeministri Albin Kurti, ka marrë pjesë në hapjen e Samitit Rajonal për Luftimin e Diskriminimit Racor ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, ku ka prezantuar masat dhe rezultatet e Qeverisë për avancimin e të drejtave dhe përfshirjen e këtyre komuniteteve në shoqëri.
Kurti ka thënë se barazia nuk arrihet njëherë e përgjithmonë, por duhet të ndërtohet dhe të mbrohet çdo ditë, duke theksuar se përfshirja e komuniteteve nuk është privilegj, por e drejtë e çdo qytetari dhe detyrim i shtetit
Gjatë fjalës së tij, ai ka bërë të ditur se, sipas raportit për zbatimin e Planit të Veprimit të Strategjisë për Avancimin e të Drejtave të Komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian për periudhën 2022-2026, mbi 80 për qind e aktiviteteve janë përmbushur plotësisht, 11 për qind pjesërisht, ndërsa 9 për qind mbeten ende për t’u realizuar.
Përmes një njoftimi në Facebook, Kurti ka veçuar investimet në arsim, duke njoftuar se për vitin akademik 2025-2026 janë ndarë 477 bursa në vlerë prej 190 mijë e 800 eurosh, ndërsa për vitin shkollor 2026-2027 janë ndarë 494 bursa për nxënësit e këtyre komuniteteve.
Ai ka bërë të ditur edhe rritjen e buxhetit për 54 qendrat mësimore, të cilat menaxhohen nga 10 organizata joqeveritare. Sipas tij, buxheti është rritur nga 250 mijë në 370 mijë euro, ndërsa mbi 2 mijë e 600 fëmijë pritet të përfitojnë mbështetje gjatë këtij viti shkollor.
Në fushën e banimit, Kurti ka deklaruar se janë ndarë rreth 37 milionë euro për ndërtimin e banesave sociale, si dhe për rindërtimin dhe renovimin e shtëpive të familjeve në gjendje të cenueshme.
Sa i përket punësimit dhe përfaqësimit institucional, kryeministri ka bërë të ditur se që nga viti 2022 janë shtuar 37 pjesëtarë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Policinë e Kosovës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të punësuarve në 70.
Ndërkaq, në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës janë të punësuar 25 pjesëtarë të komunitetit ashkali, 10 të komunitetit egjiptian dhe dy të komunitetit rom.
Kurti ka përmendur edhe krijimin e Platformës Kombëtare për Mbrojtje nga Diskriminimi, përmes së cilës qytetarët mund të raportojnë rastet e diskriminimit, gjuhën e urrejtjes dhe refuzimin diskriminues të shërbimeve.
Sipas tij, deri më tani përmes kësaj platforme janë raportuar 80 raste të diskriminimit, ndërsa 856 zyrtarë publikë dhe gazetarë janë trajnuar për identifikimin dhe parandalimin e antigjipsizmit.
Kurti po ashtu ka theksuar se në Kosovë nuk duhet të ketë vend për diskriminim dhe pandëshkueshmëri, duke nënvizuar rëndësinë e përfshirjes së komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian jo vetëm në zbatimin e politikave, por edhe në proceset e vendimmarrjes.