Formohet paneli për përzgjedhjen e kandidatëve për Avokat të Popullit, VV kërkon përfaqësim më të madh

Prishtinë | 18 Nën 2026 | 13:53 | Nga Gzim Mujaj

Paneli do të përbëhet nga një anëtar i secilit grup parlamentar, në përputhje me rregulloren e Kuvendit.

Megjithatë, gjatë diskutimit pati mospajtime rreth përfaqësimit të grupeve parlamentare në këtë panel.

Kryetarja e Komisionit, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, tha se pas shpalljes së konkursit dhe pranimit të aplikacioneve, komisioni duhet ta formojë panelin përzgjedhës, i cili do të shqyrtojë nëse kandidatët i plotësojnë kushtet formale dhe do të organizojë intervistimin e tyre.

“Ne e kemi shpallë tashmë konkursin, ka qenë publik, ka qenë në një afat të caktuar kohor dhe janë pranuar aplikacionet. Nga kandidatët potencialë për këtë pozitë. Në këtë fazën e 2-të, ne duhet si komision ta formojmë një panel përzgjedhës, i cili sipas rregullores, se jam konsultuar me stafin e Kuvendit, pavarësisht që tani ndoshta në një formë bazuar në grupin e madhësinë e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, që ka ndryshuar ndoshta edhe disa rrethana, megjithatë kjo rregullore thotë kështu. Sa i përket panelit, komisioni pas pranimit të aplikacioneve nga administrata formon panelin përzgjedhës dhe zgjedh kryesuesin. Në panelin përzgjedhës përfaqësohet secili grup parlamentar me nga një anëtar. Paneli përzgjedhës pas pranimit, domethënë pas pranimit të aplikacioneve nga administrata, brenda 15 ditëve nga data e mbylljes së konkursit vlerëson nëse aplikacionet i plotësojnë kushtet formale të parapara me konkurs publik dhe hedh poshtë aplikacionet e kandidatëve që nuk i plotësojnë kriteret. Pastaj paneli përzgjedhës përpilon listën e kandidatëve të përzgjedhur për intervistë, cakton datën për thirrjen e kandidatëve në intervistë, përcakton renditjen e thirrjes së kandidatëve, si dhe cakton zyrën për intervistë”, tha ajo.

Deputeti i VV-së, Arbër Rexha, kërkoi që përbërja e panelit të reflektojë forcën e grupeve parlamentare, duke propozuar që në të, të përfshihen të gjithë anëtarët e këtij komisioni.

Mulhaxha-Kollçaku kundërshtoi këtë propozim, duke thënë se një përbërje e tillë nuk lejohet me rregulloren, e cila parasheh nga një përfaqësues për secilin grup parlamentar.

Edhe deputetja Duda Balje tha se përbërja e panelit duhet të përcaktohet sipas rregullores dhe se nuk ka hapësirë për ndryshimin e saj.

“Unë kam kryesuar herën e fundit në këtë, nuk kemi shumë hapësirë për bisedë, kemi një rregullore që nuk mundemi me ndryshu, ne si deputetë duhet ta respektojmë. Secili grup parlamentar nga një përfaqësues”, tha ajo.

Ndërkaq, deputetja e PDK-së, Sala Jashari, tha se procesi duhet të ruajë karakterin jopolitik të institucionit të Avokatit të Popullit.

“Fakti që Avokati i Popullit është jo politik, kjo duhet që të vazhdojë kështu”, tha ajo.

Rexha, ndërkaq, kundërshtoi mënyrën e përfaqësimit të grupeve parlamentare, duke thënë se përbërja e panelit duhet të pasqyrojë përfaqësimin e tyre në Kuvend. Ai paralajmëroi se do të votojë kundër propozimit të kryetares së Komisionit.

“Ndërsa nëse e shihni përbërjen, jeni si shumicë këtu. Pra, pothuajse në çdo komision parlamentar paraqitet vullneti qytetar. Nuk po- nuk po hyja andej, apo doja me kapë qysh realisht mundeni me bo një farë akuze opozitare. Mirëpo, po flas në, pra, koncept se si duhet me u përfaqësu grupi parlamentar sot, edhe besoj që e mirëkupton këtë gjë. Gjithmonë aty ku unë kam marrë pjesë, jemi përfaqësu si komision. Unë ka me votuar kundër, edhe Fatmiren ka me votu kundër”, tha ai.

Të ngjashme